“Jam e detyruar të reagoj ndaj lajmeve të fundit të cilat me bindje të plotë thonë se Arjola Shehu do të largohet nga Tv Klan! Burimet tuaja janë të pasakta!” – shkroi Arjola Shehu sapo u publikua lajmi se moderatorja e “Kush vjen për drekë” në Tv Klan nuk do të jetë më pjesë e këtij ekrani. Me bindje, ajo tha se do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij televizioni duke hedhur poshtë burimet që shkruanin se programi i saj dhe vetë Arjola nuk do të ishin pjesë e sezonit të ri në Tv Klan.
Edhe pasi ky televizion ka publikuar promon që prezanton programet e sezonit të ri (aty ku Arjola nuk duket askund), menjëherë në portale ka qarkulluar lajmi se moderatorja do të zhvendoset drejt një ekrani tjetër. Pak javë më parë u mësua se Arjola mund të nënshkruante një kontratë të re me Top Channel, por as ky lajm nuk u konfirmua nga moderatorja.
Sot, siç është mësuar nga revista Who, Arjola është parë në mjediset e Top Channel gjatë ditës së djeshme, duke i shtuar edhe më shumë dyshimet se mund të zhvendoset në Top sezonin e ri.
Por sapo lajmi ka nisur të shpërndahet, vjen sërish reagimi i moderatores që, nga sa duket, nuk do të zbulojë akoma asgjë për projektin dhe kontratën e saj të re: “Ndoshta është vetëm thashethem”, – shkruan Arjola në postimin e saj të fundit, i cili, me siguri, i referohet lajmit për zhvendosjen e saj drejt një ekrani të ri.
Gjithsesi, në çdo ekran, të ri ose jo, Arjola është një fytyrë e dashur për publikun dhe, buzëqeshja e saj, është e mirëpritur për të.