Talenti nuk është çështje zgjedhje apo dëshire! Dhuntitë duken që herët në fëmijëri, moshë kjo ku pakkush mundet të identifikojë të ardhmen profesionale. Ajo bën pjesë në grupin e vajzave që talentin e kanë të lindur, e muzikën e artin e ka në gjak.

Sepse që në moshën shtatë vjeçare, menjëherë sapo kthehej nga shkolla, përfundonte detyrat e shtëpisë dhe frymën e mbante në mini studion artistike të krijuar brenda mureve të shtëpisë së saj. Kërcimi, piktura, e sidomos muzika janë zhanret që Efi Gjika i zhvillon prej disa kohësh në mënyrë mjaft origjinale. Ndonëse vetëm 10 vjeç, ajo ka mbi supe "peshën" e përfaqësimit të Shqipërisë në kompeticionit e këngës për të fëmijë që këtë vit organizohet në Minsk të Bjellorusisë në muajin Nëntor.

Kjo sepse Efi u shpall fituese e Eurovision Junor këtu në Tiranë, ku mes 16 konkurrenteve, ajo triumfoi duke zënë vendin e parë me këngën "Barby"! Por, ajo nuk është vetëm në këtë rrugëtim suksesi! Bashkëudhëtare me të është edhe e ëma, Kristina. Kjo e fundit mban autorësinë e tekstit të këngës, ku përveç muzikës dhe performancës së të bijës në skenë, ajo pëcjell përmes artit një mesazh kuptimplotë: mos i trajtoni fëmijët si pronën tuaj, lërini ata të lirë të shprehin emocionet dhe dëshirat e tyre. Dhe ky tekst është për të gjithë prindërit dhe fëmijët e tyre, është gjithëpërfshirës në mesazhin e tij.

E entuziasmuar për sfidën e re që e pret muajin e ardhshëm Efin, 10 vjeçarja e talentuar rrëfen se: "Mendoj se është emocioni më i madh që kam përjetuar deri tani...Është përgjegjësi për mua, fakti që do të përfaqësojë Shqipërinë atje, në skenën e Eurovision Junior në Bjellorusi. Mezi po e pres këtë eksperiencë të re, në të cilën do më shoqërojnë edhe prindërit e mi", thekson ajo.

Ndërsa, ne të revistës Class urojmë shumë suksese për Efin!