Ato që i qëndrojnë besnike njërës ngjyrë në flokë mund të numërohen me gishta. Ashtu siç jemi mësuar me një imazh vetëm brun apo vetëm biond (Amrda Toska, Marina Vjollca), ashtu jemi mësuar tashmë edhe me shumë vajza të tjera të njohura që ndryshojnë sipas stinës. Dikur të zeza, pastaj menjëherë bionde, pastaj të kuqe flakë e pastaj edhe me një histori tjetër nga fillimi…

Aurela Gaçe

Një prej këngëtareve që ndryshonte edhe atëherë kur koha nuk i njihte ndryshimet, Aurela Gaçe, njëlloj vepron, akoma edhe sot me flokët. Një natë e sheh me flokë të zeza, të nesërmen bionde dhe një ditë më pas edhe me të kuqe a ndonjë nuancë tjetër të papërcaktueshme për pjesën dërrmuese tonën. Artiste, rrokere, edhe në stil, edhe në look, Aurela nuk ka limite. Bën gjithmonë atë që ndien e do dhe nuk zhgënjen kurrë.

Çiljeta Xhilaga

Jo më pak eksperimentuese ka qenë gjatë karrierës së saj edhe Çiljeta Xhilaga. Të gjithë i kujtojnë flokët e saj biondë te “Tekila” – kënga me të cilën ajo debutoi në tregun muzikor, por vitet më vonë, i dhanë Çilit një imazh të ri edhe me flokët e errët, të zinj, të cilët i shkonin po njëlloj. Çiljeta, e bukur edhe bione, edhe brune ekstreme, akoma edhe sot është në dilemë për ngjyrën e flokëve. Sepse edhe fansat i ka përherë të ndarë në dy – ata që mendojnë se bionde është më e ëmbël dhe ata që mendojnë se brune ka më shumë personalitet. Çili ende nuk e ka zgjidhur dilemën…

Xhemi Shehu

Një nga brunet më të bukura të Top Channel-it, ra në sy menjëherë në Fiks Fare dhe më pas, kur iu besua drejtimi i disa programeve. Por me vitet, edhe Xhemi u bind se me flokë të çelur dukej edhe më e ëmbël. Eksperiementoi edhe ajo, si shumë të tjera me flokët, por duket se ata që mendojnë se Xhemi është më e bukur brune, janë diçka më shumë. Ose, edhe nëse nuk janë, nëse moderatorja e “Portokallisë” do t’i rikthehet look-ut të viteve të para, me siguri numri i fansave “brunë” do të barazohet, në mos rritet, në krahasim me të parët.

Era Istrefi

Si bionde ra menjëherë në sy, madje edhe me rasta, dhe ashtu i mbajti për shumë kohë. E ëmbël, moderne dhe ekstravagante, flokët e Era Istrefit ishin një detaj diferencues i look-ut të saj. Por nuk kaloi shumë kohë dhe Era vendosi të ndryshojë. Për pak kohë, e gjeti veten te pink-u, pastaj te disa nuanca ekstremisht të çelëta, derisa, më në fund, iu rikthye ngjyrës origjinale. Megjithatë, edhe fansat e Erës ndahen në dy grupe – ata që mendojnë bionde i shkojnë më shumë dhe ata që mendojnë se flokët e zinj i falin imazhin e një vajze me karakter. Era vetë, ndoshta ende nuk e ka vendosur si cila vajzë do të duket.

Luana Vjollca

Pothuaj të gjithë mendonin të njëjtën gjë për flokët e Luanës. Megjithëse moderatorja e njohur ia ndryshonte nuancat biondes që kishte krijuar, sërish fansat mendonin se brune është më e bukur. Nëse e krahasoni Luanën me brunen e bukur të viteve të para kur u shfaq në ekran, vështirë ta gjeni atë imazh tani që sapo është kthyer brune (kjo për shkak të rritjes dhe kileve që ka shtuar). Sidoqoftë, Luana ua ka bërë qejfin shumë fansave me ndryshimin e beftë – një brune e vërtetë. Luana is back!

Jonida Maliqi

Prej vitesh, edhe Jonida e ka gjetur veten te flokët e zinj, por përherë ka eksperimentuar me imazhin e saj. Qysh në vitet e saj të para në skenë, por edhe gjatë periudhës së gjatë në muzikë, këngëtarja ka provuar nuanca të ndryshme në flokë, të cilat i kanë qëndruar bukur, por te brunia duket sikur fle më mirë. Ndoshta, edhe sepse fansat e kanë lidhur kurdoherë imazhin e saj me atë të një vajze plot personalitet, ndaj edhe imazhi prej bruneje është më i përqafuar për Jonidën.

Roza Lati

Prej disa vitesh, Roza është besnike e biondes, por me stilin e saj ka eksperimentuar edhe me brunen. Ekstremisht bionde, por edhe ekstremisht brune, sido që të jetë, për Rozën nuk duket me aq shumë rëndësi sa i duket asaj buzëkuqi i kuq në buzë. Për më tepër, asaj i shkon në të dyja rastet.