Ka shumë njerëz që krenohen me kafen e vet turke. Disa kanë një mënyrë, të tjerë një tjetër, por askush nuk ka ndonjë ‘recetë’ më vete që zbulon si mund të arrihet idealja. Kush ka jetuar me gjyshe, me siguri e di se sekreti, edhe i kafes turke, është, mbi gjithçka, dora: “Ka dorë për të bërë kafen…”, – shprehja e famshme e gjysheve, me siguri, ju kujtohet të gjithëve.

Edhe Rudina Magjistari qenka në grupin e atyre që krenohet me kafen e saj. Në fakt, ka një ndjesi shumë të mirë kur kujton se i ati e donte kafen turke vetëm prej saj. Pasditen e sotme, ndërsa kishte të ftuar në studion e saj Lajla Përnaskën, moderatorët Bledi Strakosha dhe Artenisa Ozaj, si dhe gazetaren Alba Çobaj, Rudina kujtoi bashkë me ta disa gatime tradicionale të cilat, në të kaluarën, sikur gatuheshin me më shumë dëshirë e me erë tradite.

Duke folur për këtë të fundit, Rudina tha se ka një ndjesi të mirë sa herë kujton që kafen turke e bënte për të atin dhe pa e fshehur krenarinë, tregon se e bën shumë të mirë: “Të njëjtën ndjesi kam unë kur, një herë e një kohë bëja kafen turke, dhe më thonin ‘pse del kafja turke shumë e mirë’, sepse e bëj shumë të mirë kafen turke. Ka shumë njerëz që krenohen me kafen e vet turke, por unë e kam bërë shumë të mirë. Im atë e donte gjithnjë kafen nga unë…

Por cili është sekreti i një kafeje shumë të mirë turke, sipas Rudinës?

Te përzierja e saj e ngadaltë dhe jo e menjëhershme: “E përzieja shumë mirë ngadalë-ngadalë, jo në fund fare kur ajo vlon dhe ti hedh kafen, sepse në fund ajo menjëherë gufon dhe ti duhet ta hedhësh në filxhan. Pra, gradualisht, e tretja mirë e mirë, dhe ato pastaj vlonin të dyja bashkë dhe kështu realizohej… “ – tregon Rudina.

Nëse doni të krenoheni si ajo, provojeni një herë me stilin e saj.