Çizmet e gjata mbi gju, shpesh nuk e marrin vëmendjen që meritojnë pasi na kanë “shpëtuar” jetën në ditët e ftohta e të lagështa dhe gjithashtu në momentet kur na është dashur një veshje e kombinuar me stil… Ndërkohë që shumë prej jush pëlqejnë më shumë çizmet e shkurtra deri te kyçet, çizmet e gjata mbi gju duhet të jenë të preferuarat tuaja pasi ato “zgjasin” këmbën në mënyrën më origjinale të mundshme! Të vështira për t’i kombinuar? Aspak, provoni kombinimet e mëposhtme për një look më interesant…

Zgjidhni një dekadë të preferiar për frymëzim
Çizmet e gjata mbi gju i kemi parë në modë në çdo dekadë, ndaj zgjidhni stilin tuaj të preferuar për t’u frymëzuar. Ju pëlqen moda e viteve ’70? Provoni t’i kombinoni çizmet e gjata të lëkurës me një fund treçerekësh në material xhinsi e me një xhaketë të shkurtër kadifeje. Do të dukeni me stil dhe vintage.
Miksoni printet në veshjen tuaj
Çizmet në printin e lëkurës së gjarprit janë një tendencë në ditët e sotme, për më tepër ato të gjatat, mbi gju. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht një kombinim me ngjyra bazike, do të dukeni shumë bukur nëse do të kombinoni dy printe për t’i dhënë më shumë jetë dhe energji veshjes tuaj.
Kombinoni fustanet dhe fundet e shkurtra me çizme pa takë
Fundet dhe fustanet “mini” me çizmet e gjata e të sheshëta janë një kombinim klasik të cilin e kemi parë shpesh, mund të themi se është një modë e huazuar nga vitet ’60, por që qëndron shumë bukur edhe në ditët e sotme.
Kombinoni çizmet e gjata me funde treçerekëshe mbi to
Fundet treçerekëshe të mëndafshit që mbulojnë fillimin e çizmeve tuaja janë një “truk” për t’i bërë këmbët tuaja të duken më të gjata e nëse kombinohen më një pulovër oversize në një paletë nga ngjyrat e tokës, ju sapo keni bërë veshjen më stil të sezonit!