Deri tani jemi mësuar ta identifikojmë me profesionin që e njohim ne, madje edhe e gjithë bota, aty ku ajo ka lënë gjurmë në pasarelat e modës apo në fushata të ndryshme publicitare. Por, prej pak kohësh e në vijim, duhet ta harrojmë Angela Martinin në versionin e supermodeles.

Bukuroshja shqiptare ka vendosur që bashkë me të shoqin e saj milioner, rumunin Dragos Savulescu ata bashkarisht do të fokusohen në një angazhim të ri, siç është ai i produksionit të filmave.  Në një intervistë të fundit të Angela Martinit për revistën "Who", ajo ka rrëfyer më shumë detaje rreth kësaj sipërmarrje të re që duket se bazën e ka brenda familjes.


 
Ndër të tjera, ajo thotë: “Siç e dini tashmë, unë i kam dhënë fund karrierës si modele dhe kam ndryshuar plotësisht drejtim. Së pari, vitin e kaluar u çertifikova si trajnere jete (një person që ndihmon njerëzit për të arritur qëllimet e tyre dhe që i këshillon për ndryshimet që duhet të bëjnë në jetë). Kjo më dha mundësinë të kuptoja më mirë psikologjinë e njerëzve dhe të përgatitesha për projektet e ardhshme. Së dyti, u bëra producente filmi. Me krenari tregoj se vitin e kaluar përfundova xhirimin e dy filmave me metrazh të shkurtër, me dy mesazhe shumë të fuqishëm, që shpresoj se do prekin zemrat e njerëzve. Të dy do të publikohen këtë vit. Gjithashtu kam edhe disa projekte të tjera filmike, që do të xhirohen po këtë vit. Së treti, po punoj për një tjetër projekt shumë të rëndësishëm, për diçka që vjen direkt nga shpirti, si të jetë fëmija im. Kam punuar për këtë gjë prej dy vitesh dhe këtë vit do jetë gati. Bëhet fjalë për një libër që kam shkruar, një histori vërtet mahnitëse për jetën e nënës sime, dhe një pjesë të jetës sime gjithashtu", thotë ajo.


 
Në fakt, në dukje të parë të tri këto profile të reja, janë të gjitha risi për pjesën profesionale dhe angazhimet në perspektivë të Angela Martinit, por për diçka jemi të sigurt, ajo do të shkëlqejë dhe do të na surprizë pa mëdyshje!