Përgjithësisht, për gjërat e saj private ajo është treguar gjithnjë diskrete. Jetën e saj personale është përpjekur që ta mbajë disi larg vëmendjes së mediave, edhe pse vetë falë angazhimit profesional që ka si një aktore, madje goxha e njohur dhe e suksesshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është gjithë kohës në fokus të kamerave, prozhektorëve, gazetarëve, shesheve të xhirimit të filmave, etj. Por, këtë super lajmi për Eliza Dushkun nuk ka kurrëfarë lidhje me sferën profesionale.

Aktorja e famshme shqiptare do të bëhet nënë për të parën herë! Fotot, që konfirmojnë pritjen e ëmbël të Eliza Dushkut, kanë dalë vetëm ditën e djeshme gjatë pjesëmarrjes së saj dhe bashkëshortit në premierën e filmit "Mapplethorpe" në New York.

E veshur me të zeza, aktorja shoqërohej nga partneri i saj Peter Palandijan, ku vëmendjen absolutisht e mori barku i rrumbullakosur i aktores. Kujtojmë këtu që Eliza dhe Peter, e kurorëzuan dashurinë e tyre në një ceremoni martesore në gushtin e vitit të kaluar. Ndonëse gjithçka fillimisht u mbajt private, nga të ftuarit VIP, tek organizimi apo detajet e tjera nga dasma, pak më vonë do të ishte vetë Eliza Dushku që do të ndante lajmin e bukur.

Por, sapo na mbërriti edhe kjo surprizë e këndshme, fakti që aktorja e famshme shqiptare do të bëhet së shpejti nënë për të parën herë dhe ne të Class na mbetet vetëm t'i urojmë shumë mbarësi!