Gjykata e Tiranës ka dhënë masën detyrim paraqitje për Ervin Matën, i cili u dorëzua në polici këtë të premte. Ngjarja e bujshme e vrasjes në ish-Bllok, mori përmasa edhe më të mëdha sidomos pas përfshirjes së emrit të këngëtares së njohur shqiptare Elvana Gjata në të.

I shpallur në kërkim që prej datës 4 tetor të vitit të kaluar, Ervin Mata bashkë me avokatin e tij u dorëzua të premten e kaluar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku mësohet të jetë shprehur se: "Nuk kam qëlluar unë me armë zjarri". Mata ka refuzuar të paraqitet personalisht, ndaj është përfaqësuar përmes avokatit të tij.

Gjykata e ka lënë të lirë Ervin Matën, të fejuarin e këngëtares Elvana Gjata, i cili ishte në kërkim që prej 4 tetorit 2018 për vrasjen e ndodhur në lokalin “Monopol” në ish-Bllok. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, ndërsa u plagos Ervis Martinaj së bashku me Elion Haton.

Gaxha u qëllua për vdekje nga komandoja Mevjol Bilo si pasojë e një përplasje me armë mes grupit të Ervis Martinajt dhe atij të Ervin Matës. Kjo ngjarje e rëndë mori përmasa të mëdha mediatike, sidomos pas përfshirjes së emrit të këngëtares Elvana Gjata, e cila ka qenë në vendngjarje pak para se të ndodhte krimi, por e pyetur më pas nga policia ajo është shprehur se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen.