Nesër mbrëma, anija e Piter Panit do të lundrojë për të katërtën herë në këtë sezon të dytë. Pas tri netëve me personazhe interesante dhe me pyetje jo më pak të tilla nga gazetarët e vegjël, kjo e hënë ka rezervuar plot surpriza dhe dy personazhe të rinj mjaft të dashur për publikun.
Po cilët do të jenë ata?
Sidrit Bejleri
Marrëdhënien me fëmijët e ka të shenjtë dhe këtë e ka treguar shpesh jo vetëm me mesazhet sociale që përcjell virtualisht, por edhe me kauzat në të cilat merr pjesë. Këngëtari i njohur nga Shkodra bën të pamundurën për të ndërgjegjësuar të gjithë miqtë dhe fansat e tij sa herë dikush, sidomos fëmijë, është në vështirësi. Sidriti ka gjithmonë shumë për të folur kur është fjala për fëmijët, nisur edhe nga historia e dhimbshme personale.
Mbrëmjen e së hënës, Sidritin do ta shihni në një profil tjetër, me të cilin nuk jeni mësuar, por pas kësaj do ta kuptoni sa i ndjeshëm bëhet ai në rolin e babait. Përballë të vegjëlve, edhe Sidriti, si të gjithë, mund të surprizohet nga pyetjet e tyre, por me siguri do ta shijojë këtë mbrëmje dhe këtë intervistë si asnjë tjetër më herët. Lajme të reja apo ndonjë projekt ende i pazbuluar? Ndiqeni nesër…
Amarda Toska
Kush nuk e dashuron fytyrën e ëmbël të ekranit, kush nuk lë gjithçka pa bërë kur në televizor del Ami? Nesër mbrëma, ajo do të jetë përballë fëmijëve të Piter Panit për të zbuluar disa sekrete të Joelit, por edhe të Sias, vajzës së saj të vogël, e cila vetëm pas dy ditësh feston 1-vjetorin e lindjes.
Si ka qenë ky vit për Amin dhe për Sian, po për Ermalin? A do të kthehet sërish në ekran me ndonjë projekt të ri? Këto dhe shumë pyetje të tjera pikante, fëmijët e Piter Panit i kanë gati. Edhe pyetjet për Ermalin, kështu që qëndroni gati të mësoni më shumë nga familja e njohur e showbiz-it.