Nëse do e përkufizonte jetën e saj me tri fjalë, ato do të ishin: aventurë, emocion dhe durim! Por kur e shikon në ekran, Dojna Mema të përcjell më shumë se kaq. Duket sa natyrë që i pëlqen aventurat – larg dhe pa adrenalinë, aq edhe energjike, e gjallë, spontane dhe e gatshme për t’u bërë njësh me emocionin. Ndryshe nga shumë personazhe që mbushin ekranin, por nuk të shfaqin asnjë lloj emocioni, fillojnë dhe mbarojnë çfarë kanë për të thënë dhe ikin pa zhurmë e pa gjurmë, Dojna është krejtësisht tjetër gjë. Në fakt, ajo i kontrollon mirë emocionet e veta, por përçon tek publiku çdo gjë të gjallë, fare natyrshëm dhe pa sforcim, me prezantimin në skenë. Duke u bërë njësh me të ftuarit, konkurrentët e spektaklit dhe të gjitha personazhet që duhet të ngjiten në skenë (dhe që janë jo pak të emocionuar), Dojna bëhet njëkohësisht edhe palë me publikun, i cili, nuk e ka aspak të vështirë të përjetojë njëjtë si ajo atë që ndodh drejtpërdrejt. Dhe jo vetëm në ekran. Edhe në radio ndodh e njëjta gjë kur përcillet me zërin e saj.
Si natyrë e gjallë, që qesh sa herë ka diçka për të qeshur (edhe pse mami vazhdon ta kritikojë për këtë fakt), Dojna nuk shqetësohet aspak se është në ekran dhe “duhet të sillet mirë” për hatër të tij. Ajo qesh me shpirt kur sa herë dikush apo diçka e bën të qeshë dhe nuk ka as shqetësimin më të vogël për kritikat. Sepse Dojna është vajza e drejtpërdrejtë që secili prej nesh do që të shohë në ekranin e vogël. Por edhe sepse Dojna ka durim! Po, është e vertetë! Mund të mendoni, me të drejtë, se një natyrë impulsive nuk ka shumë durim për t’i arritur gjërat. Epo, e keni gabim! Dojna, me durim, ia ka dalë të drejtojë sot një nga programet më rëndësishme në Top Channel, “The Voice Kids”.
Një sezon më parë, ajo ishte pjesë e Voice Room, ndërsa sot është prezantuesja kryesore e këtij talent show. I është besuar një emision kaq i rëndësishëm, sepse ka treguar se mund të bëjë shumë më shumë për publikun që e ndjek. Në këtë intervistë për revistën Class, Dojna tregon se ftesa për këtë program i erdhi në mënyrën më klasike të mundshme: nga një mbledhje me drejtorin e përgjithshëm. Aty, Dojna nuk e dha shumë veten. Kur iu tha propozimi, tha thjesht: “Po, mund ta bëj”. Pastaj, sapo doli nga zyra, kërceu nëpër korridore. Ishte lumturia e arritjes së gjërave vetë, pas një pune e një përkushtimi të madh. Kishte punuar për këtë ditë, që zëri i saj të jetë “jehona” e çdo të premteje në mbrëmje në Top Channel.
Por këtu nuk ka vetëm punë (që ia merr gjithë ditën, Pop Culture, radio dhe The Voice Kids). Dojna tregon për Class edhe pasionet apo sekrete vajzash (edhe çfarë (nuk) pëlqen tek meshkujt). Me siguri, edhe ju nga ekrani e keni venë re se ajo ka batuta spontane, që nuk i mungojnë në asnjë moment. Edhe në intervistë nuk është munduar të tregojë vajzën “model”, që zgjohet në mëngjes dhe lan fytyrën me petale trëndafili, që pi çaj me gishtin e pestë të ngritur, sepse nuk është ajo Dojna. Jeta e saj është shumë dinamike dhe nuk ka kohë për “ta përkëdhulur” veten më gjëra të kota. Dojna PUNON! Por edhe pse punon shumë, raportin me paranë nuk e ka fare të mirë. Është një dorëshpuar e pandreqshme!
Madje edhe gjyshja e saj, e cila është bërë e famshme në rrjetet sociale, e “kritikon” në një video për shpenzimet e parave. Gjyshja e Dojnës në fakt është bërë e famshme nga batutat e saj spontane në videot që moderatorja publikon në Instagram. Dojna duket se ka marrë shumë nga ajo: oratorinë, batutën dhe lirshmërinë për të thënë atë që mendon direkt, pa shumë furça. Për çdo gjë çfarë ndodh në jetën e Dojnës, si atë profesionale apo personale, do të keni mundësinë t’i lexoni në këtë intervistë, pa doreza: plot muzikë dhe humor!
Të është besuar një emision kaq i rëndësishëm si “The Voice Kids” në Top Channel, si është kjo eksperiencë për ty?
-Kur më komunikuan se do të isha prezantuesja e “The Voice Kids 3”, personalisht më erdhi natyrshëm të gëzoja dhe të shijoja gjithë fazën përgatitore. Ndërkohë, kishte njerëz që më rrethonin të cilët më bënin të më rëndonte pesha e përgjegjësisë. Pyetjet varionin, nga “E kupton çfarë përgjegjësie është? Si do ia bësh? Vetëm do e prezantosh?”, në “E mbush dot skenën? S’ke frikë? Ta qaj hallin!” Aty kuptova se kush nga dashamirësia e kush nga keqdashësia, po më merrnin gjithë energjinë pozitive. Sigurisht, nuk dëgjova më askënd që vinte çdo ditë me refren sugjerimesh dhe nuk kishte lidhje me produksionin. Prej ditës së parë të audicioneve të fshehura e deri tani, po e jetoj ashtu siç di unë: shumë punë, përkushtim, natyrshmëri, ndjeshmëri, pa humbur kurrë buzëqeshjen.
Si erdhi ftesa që ti ta prezantoje këtë program?
-Në mënyrën më klasike të mundshme: Mbledhje! Drejtori i Përgjithshëm, së bashku me stafin e “The Voice Kids”, më pritën në zyrë dhe më bënë propozimin për të qenë pjesë e programit. Aty për aty kam dhënë një përgjigje të ftohtë “Po, mund ta bëj”, por sigurisht sapo dola nga zyra, kërceva nëpër korridore.
Ledion Liço të dorëzoi një emision që e kishte shumë përzemër. Si u ndjeve?
-Pa dyshim, shumë e vlerësuar dhe plotësisht gati.
Cila ishte këshilla që të dha Ledioni?
-Që në fillimet e karrierës sime, Ledioni më ka inkurajuar të jem sa më e lirë dhe vetja, duke punuar çdo ditë fort për të arritur objektivat e mia. Këtë herë më sugjeroi të bëja sa më shumë qejf dhe të shijoja sa më tepër këtë eksperiencë që nuk të vjen rasti ta jetosh çdo ditë.
Kemi parë që ke një dashuri të madhe për fëmijët dhe je shumë e dashur me ta. Si është të punosh me fëmijë të talentuar?
-Mësoj çdo ditë prej tyre. Jetojmë në një vend ku vrapojmë për të kapur ritmin e ditës, veprojmë përpara se të mendojmë dhe e injorojmë “fëmijën” brenda nesh. Konkurrentët e “The Voice Kids 3” më kanë bërë të shoh më qartë, të vlerësoj çfarë vërtet ka rendësi dhe të qesh me shpirt, njësoj si ata.
Me mentorët si i ke marrëdhëniet?
-Gjokat dhe Miriamin i njihja më herët nga eksperienca e kaluar në Voice Room 2, për më tepër që i kam intervistuar disa herë në “Pop Culture”. Sa i përket Arilenës, ishte një zbulim. Na u lidhën bisedat menjëherë duke marrë parasysh edhe faktin që i përkasim të njëjtit brez. Na bashkon qëllimi i përbashkët për t’i bërë fëmijët të ndihen si në shtëpi.
Cili nga 4 mentorët është i preferuari yt, ai më afër muzikës që dëgjon ti?
-Preferencat e mia muzikore, dihet që kanë anuar gjithmonë ndaj muzikës alternative, por kjo nuk do të thotë që Gjokat janë të preferuarit e mi, sepse kur prezanton "The Voice Kids", kupton që të gjithë bashkëpunëtorët të kthehen si pjesë e familjes, ndaj është e pamundur të kesh debulesë për njërin apo tjetrin. Kur sheh përkushtimin që transmeton secili prej tyre, kupton se je në vendin e duhur për të bërë çfarë ke shpresuar.
Gjatë gjithë kohës në skenë, je e buzëqeshur dhe mjaft e lirshme në komunikim. A ka ndryshuar mami opinion për të qeshurën e madhe skenike?
-Mami vazhdon të mbetet kritikja ime më e madhe dhe më mirë kështu. Nëse nuk e tejkalon me buzëqeshjen, me siguri do të gjejë diçka tjetër. Jam e bindur që ajo dëshiron më të mirën, si çdo nënë. Raporti ynë ka qenë gjithmonë shumë intensiv, qoftë në gëzimet e mëdha, edhe në hidhërimet, të cilat i kalojmë bashkë. Jemi natyra shumë impulsive, ndaj raporti ndonjëherë bëhet kompleks. Ama, pavarësisht kokëfortësisë sime, mami është i vetmi person i cili më bën të ndryshoj mendje pa reflektuar dy herë. Ka një fuqi të jashtëzakonshme mbi mua, ndaj do të dëshiroja vërtet të kisha më shumë kohë për t’i dedikuar. Sigurisht, pas “The Voice Kids”, sepse jam e sigurt që do të më bëjë vërejtje të cilat nuk dua t’i dëgjoj (qesh).
Ke studiuar piano dhe, sigurisht, je e lidhur me muzikën. Duke qenë se drejton një program ku në qendër është zëri, a ke menduar ndonjëherë të bësh një këngë vetë?
-Duke ardhur nga një e kaluar si muzikante klasike, për fat të keq jam shumë perfeksioniste. Kam dashur të konkurroj në edicionin e parë të “The Voice”, por zysha ime e korit më solli me këmbë në tokë duke lënë të nënkuptohet se këndimi nuk do të jetë kurrë pika ime e fortë. Që atëherë, këndoj e lumtur në dush. Disa gjëra janë me talent, jo me inat (qesh).
Cilat janë pasionet e tua, përveç prezantimit?
-Gjithmonë kam tentuar t’i konkretizoj pasionet e mia, në shkolla dhe më pas në punë. Kam studiuar piano dhe zgjodha të punoja në radio që ka kontakt direkt me muzikën. Pas saj, vazhdova studimet e larta për komunikim dhe ndoqa rrugën e televizionit. Masterin e kam përfunduar në Universitetin e Arteve për regji filmi dhe e konkretizova këtë pasion në dokumentarin e parë me regji timen "SHOTA", i cili më përfaqësoi si regjisore në disa festivale. Përtej kësaj, ka filluar më intereson aktrimi, pa harruar leximin që mbetet jetik për mua. S’më pëlqen gatimi, sportet dhe udhëtimet e programuara.
Një ditë e zakonshme e jetës sate, si nis dhe si mbaron?
-Nis me vrap dhe përfundon me hap (qesh). Raportet e mia me zgjimin mbeten gjithmonë komplekse. Jam njeriu që ka alarm në orën 09:00 dhe zgjohet në 10:00. Sigurisht që në intervistë mund të them edhe që zgjohem në orën 08:00, laj sytë me petale trëndafili dhe pi çaj me gishtin e pestë të ngritur, por s'është e vërtetë. Nga aty nis gjithçka me vrull, mes "Pop Culture", përgatitjeve për të premten e spektaklit "The Voice Kids" dhe radios, që mbyll ditën time rregullisht në orën 22:00.
Kemi parë në Instagram edhe gjyshen tënde, e cila është bërë fenomen. Nodhi rastësisht që ajo u bë e famshme në rrjetet sociale apo e kishe si qëllim?
-Ishte krejt rastësi, sepse gjyshes, unë edhe motra, i bënim gjithmonë video që nuk e kalonin pragun e shtëpisë sonë. Nëna Eta ka një energji të rrallë dhe një shpejtësi të habitshme për të dhënë mendime apo batuta. Duke e diskutuar me një mikun tim se çfarë kishte thënë gjyshja ime atë ditë, pak nga kurioziteti, pak nga dëshira ime për ta njohur të gjithë, ai më sugjeroi t’i hapja një Instagram. Menjëherë u bë virale dhe më vjen mjaft mirë për këtë, sepse mendoj se përfaqëson thuajse të gjitha gjyshet shqiptare dhe mentalitetin e tyre.
Çfarë mendon gjyshja për famën që ka tani?
-Nuk e kupton plotësisht, sepse nuk e beson që dikush mund të bëhet i famshëm nga kuzhina e shtëpisë dhe Instagrami. I bëhet zemra mal kur i lexoj mesazhe në të cilat shkruhet: "Faleminderit që ekziston, sepse më heq mallin e gjyshes sime që nuk jeton më". Dëshiron t’i takojë një për një të gjithë ata që i shkruajnë dhe çuditet pafund kur njerëzit e njohin në rrugë.
Ti ke edhe një motër, Mikelën, si është marrëdhënia me të?Ka qenë mbeshtëtese në karrierën tënde?
Mikela është 5 vite më e vogël se unë dhe në të njëjtën kohë, më tërheq veshin kur nga entuziazmi bëj "budallallëqe". Është njeriu më i kujdesshëm që njoh dhe me shumë këmbë në tokë. Ajo nuk më ka mbështetur thjesht në karrierën time, por ka ndihmuar në krijimin e saj. Gjithmonë kam patur frikë mos do të ndjente presionin e motrës që del në ekran, por ajo është tepër e zgjuar për të rënë pre e kësaj. Ndonjëherë më duket sikur ka qenë ajo motra e madhe për mua dhe jo anasjellas.
Çfarë duhet dhe nuk duhet të ketë një djalë që t’i pëlqejë Dojnës?
-Të ketë një mendje një herë, se kohët e fundit duket sikur ka rënë kërkesa në treg. Kam nevojë për dikë që më stimulon mendërisht, përpara së gjithash, por s’duhet kurrsesi të jetë i mërzitshëm -nga këta tipat që të flasin një orë për gotën gjysmë plot dhe s’të lënë ta kthesh me fund. Më pëlqejnë çunat xhentilë, romantikë dhe që të japin një sens mbrojtjeje. Gjithashtu, më pëlqen të më hapë derën e makinës dhe shishen e verës, të thonë ç’të duan feministet.
Ëndërron të jesh një mama me shumë fëmijë, apo mendon se 1 është mjaftueshëm?
-Ëndërroj të jem një mama me disa fëmijë, jo skuadër futbolli. Duke e menduar, do të më pëlqente të kisha tre kolopuça. Më pëlqejnë vajzat dhe mendoj se do të isha një nënë shumë e mirë për to. Ndërkohë, ime më thotë gjithmonë: “Se ç’kam një parandjenjë që do bësh vetëm çuna”. Mbetet për t’u parë, edhe pse është herët ende.
Cili është raporti yt me paranë?
“Unë nuk jam xheloze, lë të shkojë me kë të dojë, por s’kthehet më” (qesh). Shpenzoj shumë, jam dorëshpuar kronike. Paguaj tavolinat kur më pëlqen biseda dhe blej duke filluar që nga rrobat e deri tek budallallëqet që gjej tek kasa e supermarketit.
Mendon se ke përfitime plus për faktin se je e famshme në Shqipëri?
-Kurrë nuk më ka pëlqyer fama dhe këtu e di që do të thoni me të drejtë: Pse iu fute televizionit?! Unë kam qenë, jam dhe do të mbetem goc radioje në mentalitet. Kur më është propozuar ekrani, e kam refuzuar momentin e parë, por ishte natyra ime kurioze që më bëri të provoj. Nga ajo ditë, kuptova se fuqia e fjalës, shoqëruar me imazh, të dërgon në një tjetër dimension komunikimi. Në të vërtetë, mendoj se fama është ana e errët kur ekranin e bën sepse E DO. Kur prezantoja Top Fest 12, më dukej çuditshëm kur njerëzit bërtisnin emrin tim nëse më ndeshnin në rrugë apo kur tek bari poshtë shtëpisë, s’më linin të paguaja. Urrej të jem e vëzhguar jashtë ekranit, ndaj e kisha shumë të nevojshëm një vit pushim pas “Top Fest 12”.Në Shqipëri, nuk ka një sistem “showbiz”, mjaft bëmë sikur “ne të ekranit” e pimë kafen me fletë ari dhe e blejmë baguetten në Paris, sepse ky perceptim po kthehet i rrezikshëm për të gjitha vajzat që më shkruajnë se duan të jenë pjesë e ekranit.
Çfarë do të ndryshoje në botën e televizionit?
-Shumë! Do të dëshiroja të shihja më tepër njerëz që e duan vërtet televizionin, për motivin më të thjeshtë të të dashurit atë që bën dhe jo për “Çfarë përfitoj nga fama”. Më vërtetësi në komunikim, më vërtetësi në imazh. Dreqi e mori, dua të shoh njerëz që u krijohet një rrudhë në ballë.
Cilët kanë qenë personat e parë të famshëm që të kanë ndihmuar të ecësh përpara në televizion?
-Janë disa, ndaj ju falënderoj që për herë të parë gjej hapësirën t’i përmend. Kam nisur në “Top Albania Radio” në vitin 2012, kur isha vetëm 19 vjec. Asokohe, drejtuesit e radios donin që të bëja intervistat në terren, ndërkohë ishte Olti Curri ai që kërkoi më ngulm të isha pjesë e emisionit në studio. Ka qenë i pari që më dha dorë konkretisht.
Më pas, kur fillova të njihesha më mirë me kolegët, të gjithë kanë pasur pjesën e tyre. Jonida Aliçkolli, Eno Popi, Drejtori Artistik i Radios, Dorian Gjergji, dhe Elona Duro, e cila më ka besuar e para programin “My Music Chart” në Digitalb. Ka qenë Elona e cila u bë, si të thuash, kumbara ime e parë në ekran.
Më pas, Ledion Liço ishte ai që besoi tek unë festivalin më të rëndësishëm të muzikës moderne asokohe, “Top Fest 12”, aq më tepër në edicionin e fundit dhe tepër emblematik. Për fat, kanë qenë shumë njerëz që kanë besuar tek unë dhe më kanë mbështetur në çdo hap.
Po ata që nuk kanë dashur të jesh këtu ku je sot?
-Do të tingëllojë çuditshëm, por shumica e tyre nuk punojnë më në Top. Mami më tregonte gjithmonë kur isha e vogël “Nëse ty të bie në qafë dikush, do t’i kthehet në një formë”. Nuk besoj në gjëra të tilla, por mendoj se ka një rregullator mes asaj që bën dhe asaj që pret. Unë kurrë nuk jam hakmarrë, sepse e dua veten aq sa mos ta ngarkoj me negativitet. Mesa duket, është universi i cili ndjek rrugën e tij.
Je ndër vajzat më të bukura shqiptare pa operacione plastike. Nëse do të ndryshoje diçka tek pamja jote e jashtme, çfarë do të ishte?
-Si fillim një herë, do të më duhet të bëj një operacion për sytë, sepse njerëzit nuk e dinë, por jam mjaftueshëm miope sa për të parë dynjanë pa fokus (qesh). Sa u përket operacioneve plastike, dikur kam dashur të bëja gjoksin, por jam shumë e lumtur që nuk e kam bërë, sepse sot është ndër pjesët që më pëlqen më tepër tek vetja.
Cili është komplimenti më i shpeshtë që merr për pamjen tënde?
Pyetje është kjo? SYTË! Kur isha në 8-vjeçare, kam qenë shumë herë më e imët se sot dhe çunat, le të themi, që ishin në një periudhë shpërthimi hormonal dhe pëlqenin gjithçka, veçse gocat e imëta. Asokohe, më thoshin: “Dojna, ke sytë më të bukur në botë, por ç’e do, s’ke… si thuhet... të pasme”. Sot jam shumë e lumtur që vazhdojnë më komplimentojnë për sytë (qesh).
Si do përkufizoje jetën tënde me tri fjalë?
-Aventurë.
-Emocion.
-Durim.
Credits:
Foto: Orsola Mema, Class Photography
Grimi dhe flokët: Erjona & Monaliza Class Hair and Makeup
Veshjet: Lioness Boutique
Vendi: Diplomat Hotel
Design: Xhesika Berisha