Kryeqyteti është tronditur mbrëmë nga një vrasje e ndodhur në orët e vona, në rrugën "Zef Jubani", pranë stadiumit "Selman Stërmasi"! I riu Jurgen Kurti, një emër jo i panjohur për drejtësinë shqiptare, por njëherësh edhe menaxher i shumë VIP-ave të famshëm shqiptarë ka rënë pre e një atentanti, ku dy persona të maskuar i kanë zënë pritë 26-vjeçarit pikërisht në derën e shtëpisë së tij, teksa ai po drejtohej në hyrjen e pallatit ku edhe banonte.

Menaxheri i VIP-ave është ekzekutuar me breshëri plumbash, pasi në vendngjarje policia gjeti dhe sekuestroi 23 gëzhoja pistolete. Dyshohet se dy persona ende të paidentifikuar i kanë bërë pritë pranë banesës së tij 26-vjeçarit dhe e kanë qëlluar nga një makinë ngjyrë gri duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Kush është Jurgen Kurti?!

26-vjeçari është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2016 ai përfshi në vrasjen e babait të tij. Ishte muaji prill i atij viti kur Kurti u arrestua për vrasjen e babait të tij Artur Kurti. Por djali do të fitonte shumë shpejt lirinë pasi për krimin u shpall fajtor daja i tij. Por nuk kaluan shumë kohë, para se i riu të përfshihej në një tjetër akt kriminal. Në prill të vitit 2017, Kurti u arrestua sërish për vrasjen e Agim Arapit pronarit të një picerie në Durrës. Ai u arrestua së bashku me vjehrrin e tij, Konstadin Ekonomi dhe vëllanë e këtij të fundit, Kujtim Ekonomi, krim i cili ndodhi për motive pronësie. Megjithatë Kurti mundi që të fitonte lirinë në të dyja rastet. Jurgen Kurti njihej edhe si menaxheri i VIP-ave, pasi ka sjellë në Shqipëri disa këngëtarë të njohur në koncerte.

Ndërkohë, policia vijon hetimet dhe po këqyr kamerat e sigurisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.