Jonas, djali i këngëtares së njohur, Maya Aliçka, erdhi në jetë nëntorin e vitit të kaluar, por ne mësuam për të vetëm në prag Krishtlinjesh. Vetëm atëherë këngëtarja vendosi ta ndajë me të gjithë gëzimin e madh, por jo vetëm për supersticion.
Të gjithë periudhën e verës, Maya e kaloi “e mbuluar” me veshje të gjera e të gjata, vetëm e vetëm që ta ruante sa më gjatë lajmin e pritjes së ëmbël. Shtatzënia pati sikletet e saj, por në përgjithësi kaloi mirë, aq sa Maya nuk mungoi as në koncertet verore.
Pak javë para lindjes, këngëtarja e ndau me të gjithë lajmin e pritjes së ëmbël dhe nga studio “Rudina” në Tv Klan, zbuloi edhe gjininë e fëmijës. Ndërsa sot, u kthye po në këtë studio për të rrëfyer më shumë për muajt e parë me të birin, por edhe sikletet që kishte kaluar pak ditë para lindjes. Siç tregoi këngëtarja, e kishte vendosur më herët lindjen me operacion, por vetëm një ditë para lindjes së djalit, kaloi një gjendje psikologjike të rëndë:
Lindja, në vetvete shkoi mirë, por unë pata një shqetësim ditën e parë, para se të lindja, sepse filloi bebi të mos lëvizte më. Kjo, për arsye të ngritjes së tensionit tim. Pothuaj dy javë mua m’u ngrit tensioni dhe nuk po ulej dhe m’u ndërpre edhe zhvillimi, nuk po merrte më peshë si kishte marrë deri në atë kohë, kështu që kjo më stresoi një natë më përpara në të vërtetë, jashtëzakonisht shumë. Fatmirësisht, gjatë natës (të nesërmen do lindja), ndoshta për shkak të shqetësimit tim, filloi bebi të lëvizte pothuaj çdo 20 minuta dhe ai ma risolli prapë besimin. Në fakt, u shqetësova jashtëzakonisht shumë, për të mos thënë që mendova keq. Thashë se diçka nuk është seriozisht në rregull… U stresova shumë, kalova gati-gati gjendje shoku.
Një ditë më vonë, në sallën e operacionit, Maya ishte ende e shokuar, por kur ia sollën fëmijën pas lindjes, u mjaftua vetëm me “ia dola”. Më vonë, pasi u qetësua në dhomën e saj, arriti ta shijojë të porsalindurin: “Në të vërtetë, isha akoma nën shok, u qetësova kur dëgjova të qarën e fëmijës, por e shijova në të vërtetë kur isha në krevat…”
Jonas ka një emër të unik, i cili u përzgjodh mes shumë alternativave. Këngëtarja tha se priti që portreti i tij t’ia vendoste emrin dhe ky ishte më i bukuri. Erdhi si propozim i disa të afërmve, por edhe si bashkim i “bebi Jon”. Pastaj, ka edhe sytë e kaltër si deti Jon, andej nga ka origjinën mami i tij. Jonas është i bekuar, sepse është edhe emër biblik…