Ato janë të famshme! Për to flet e gjithë Tirana! Dhe nuk janë rastësisht në këtë status të ri! Ndryshe, i njohim si vajzat cool të Hostel by Anabel, të parit serial virtual që mbërrin tek audienca shqiptare në formën më origjinale të mundshme!  Sepse në fakt, janë ato të pesta, vetë protagonistet që e bëjnë orgjinale gjithë këtë sipërmarrje. Nuk veshin "lëkurë" të re, edhe pse u duhet t'i përshtaten roleve me të cilat shfaqen në sytë e audiencës dhe kjo është e veçanta e tyre. 5 vajzat e famshme të Hostel by Anabel janë vetvetja në çdo batutë që shprehin, në çdo fjalë që thonë, në çdo situatë të re në të cilën bëhen pjesë, në çdo pjesë ku duhet të futen, e pikërisht këto janë esenca e gjithë mesazheve dhe historive që përcjellin tek njerëzit.

Fama nuk i ka tjetërsuar, ndonëse haptazi e pranojnë se statusi i ri i ka bërë të jenë më në qendër të vëmendjes. Njerëzit u flasin dhe i përshëndesin në rrugë, nuk presin në radhë, batutat nga njerëzit e panjohur nuk mungojnë dhe kjo i miklon doemos! Shija që u ka lënë fama është e një lloji tjetër, që i bën edhe më protagoniste! Si në këto seritë e dyta të Hostel by Anabel! I pari serial online që të jep gjithë facilitetet e mundshme të botës për ta parë e shijuar! Në livestream video.anabel.al çdo të martë në orën 21.00 të mbrëmjes, pesë vajzat e serialit janë aty për t'ju dhënë realitetin e përditshëm që "vlon" në Tiranën e sotme! Jo në atë të përkryerën që duam apo besojmë ne që jetojmë, por në atë kryeqytetin e zhurmshëm ku ndodh gjithçka! #Love#Likes#Tirana është seriali real që sjell

tradhtitë, pabesitë, karrierën, dashuritë e ndarjet,  problemet në familje, tabutë dhe mentaliteti modern, gjithë nuancat e zhvillimeve interesante në metropolin shqiptar vijnë aty të portretizuara tek pesshja e vajzave të njohura: Megi Pojani, Dea Mishel Hoxha, Ana Haxhimali, Alberta Kamenica dhe Violeta Gjoleka. Web serial-i vjen në formë episodike, i prodhuar për t'u publikuar në internet, si pjesë e platformës mediatike të Anabel. al

Ky projekt gjigant online, nuk do të realizohej dot pa autoren dhe skenaristen e tij, Dalina Buzi si edhe regjisorin Endri Delisula! Dalina, një emër i njohur në gazetarinë shqiptare, që veçmas karrierës në median e shkruar dhe në krye të drejtimit të revistës online Anabel. al, i vendosi "vulën" e suksesit një sipërmarrjeje kaq interesante si ëeb seritë e Hostel by Anabel. Puntata e parë e sezonit të dytë të hostelit rezultoi suksesi i radhës, ndërkohë që plot 17 seri të tjera presin të zhvillohen në sytë e audiencës masive, që plot kërshëri pret episod pas episodi, zhvillimet e këtij seriali. Ku do të jenë vajzat sot? Çfarë do të bëjnë ato? Mesazhi që do të japin? Do të na bëjnë për të qeshur apo e vërteta do të na dhemb në palcë? Për këtë mision janë ato të pesta aty...për të mbërritur në mënyrë krejt origjinale tek secili prej jush! Deri tani ja kanë dalë më së miri....

Megi Pojani

Megi, përpara se të bëheshe e famshme, si ishte jeta jote?

Tani ti do që të kthehem mbrapa në moshën 3-vjeçare, se unë me të hyrë në kopësht nxorra në pah shpirtin tim prej dive dhe njihesha gjerësisht në rrethin e fëmijëve për performancat e çmendura në belly-dancing. Megjithatë duke iu referuar periudhës para Hostel-it, ndiqja studimet e larta për gazetari dhe praktikisht kisha një jetë sociale që tani më ka vdekur.

Nga seriali Hostel by Anabel; na le të kuptojmë që je një vajzë e guximshme, pa tabu, që i thua gjërat troç pa e vrarë mendjen për botën! E tillë je edhe në jetën reale?

Sa herë më bëjnë këtë pyetje, pra nëse jam kështu edhe në jetën e vërtetë them me vete ‘po çfarë gjëje të tmerrshme paskam thënë kaq troç’. Nuk më duket sikur kam thënë apo kam bërë diçka të jashtëzakonshme për Hostelin, apo ndonjë dalje tjetër publike, qoftë rrjete sociale, që del nga UNI im.

Më mirë Megi e panjohur apo Megi e famshme? Të mirat që i ke marrë statusit të dytë, pra të të qenit person publik?

Unë jam shumë e ‘fiksuar’ me pamjen time. Edhe sikur të kisha një profil me 200 ndjekës do tërhiqja vëmendjen aty ku hyj, se më pëlqen të provokoj,  kjo jo në sensin banal të fjalës. Por fakti që tani më njohin në rrugë i bën njerëzit më të ngrohtë me mua dhe më qërasin kudo J, mund t’i shpëtoj dhe ndonjë radhe tek-tuk nëpër institucione por ju s’e dëgjuat këtë nga unë.

Pavarësisht asaj që thonë njerëzit, diçka duhet pranuar: njerëzit flasin për Megi Pojanin si fenomen. Çdo të thotë kjo për ty?

Mbase sepse në Shqipëri nuk ndodh asgjë. Nëse do isha diku tjetër mund të më duhej të përpiqesha më shumë të nxirrja në pah fenomenalen brenda meje, por këtu të paktën në gjykimin tim të gjithë bëjnë të njëjtën gjë. Pra nëse del në club dhe ha në një restorant të mirë profilizohesh në njëfarë mënyre dhe s’mund të jesh karagjoze, të hash me duar apo të të ngeci diçka tek dhëmbët dhe të tallesh me këtë. Mua nuk mund të me dimensionosh si vajzë. Jam e paparashikueshme. Dhe kjo është gjëja që më emocionon më shumë tek vetja. Mësoj çdo ditë gjëra të reja nga Megat brenda meje.

A përpiqesh të kesh një role model apo je thjesht vetvetja?

E di që duket si klishe dhe thënë e stërthënë bëhet patetike- po mamin tim. Ajo është ZONJË dhe duke luajtur rolin e saj të nënës që kujdeset për GJITHÇKA, më lejoi mua të jem kjo ‘goca qejf’ që njihni ju- por qytetare. Dhe falë saj ia dal të jem gjithmonë me këmbë në tokë, se siç po thoje ti, që jam fenomen e personazh publik, mami vetëm ‘edhe kush je ti, unë të kam pjellë’ di të thotë.

Megi, si i ke marrëdhëniet me meshkujt? Në disa publikime të tuat në rrjetet sociale, ke thënë se duket sikur meshkujt kanë frikë nga ty. E vërtetë është kjo?

Unë e di çfarë dua dhe nuk kam frikë t’i them me zë të lartë kërkesat dhe pritshmëritë e mia. Pastaj meshkujt fillojnë vet-filtrohen. Për disa mund të jem ‘shumë’, të tjerë mund të mos e marrin fare përsipër të merren me mua, ka dhe nga ata që pëlqejnë sfidat. Unë e them, kush m’i mëson telat dhe di të menaxhojë sprovat e tmerrshme që unë vë përpara, është burrë i madh!

Çfarë nuk duron dot tek meshkujt?

Papjekurinë, mungesën e respektit, kur tentojnë të të presin krahët për të të bërë të ndihesh më pak nga ç’je dhe veten më shumë nga ç’janë. Si ta përmbledh me pak fjalë, burri i ëndrrave të mia më vjen pas avazi, më llaston, nuk largohet kur unë i them largohu, ka krenarinë e tij, por jo të tepruar, pra sa për të mos më lënë mua t’i hipi në kurriz kur deliroj herë pas here sikur kjo është bota ime dhe ai thjesht jeton në të.

Je pak Kim Kardashian në pamjen e jashtme, në stilin e veshjes. Të pëlqejnë kur të krahasojnë me të dhe çfarë mendon për fenomenin Kim?

Kim është e paparë. Ka edukatë pune, një nuhatje të jashtëzakonshme se çfarë duan njerëzit, është korrekte dhe shumë e sjellshme. Është familjare dhe...dmth ça ka Kimi njëherë se s’e mora vesh kurrë. Zgjohet që në 5 të mëngjesit, stërvitet, ha pastër dhe punon, punon, nuk pi alkool as cigare. Është 40 vjeç dhe duket yll. Qejfi më bëhet kur më thonë se i ngjaj.

Mendon që seksi shet?

Është fakt që njeriu i përgjigjet ‘fort’ një imazhi seksual. Po nuk besoj që ndihmon për të shitur gjjthçka. Duhet kujdes sesi qasesh. Konsumatori është njeri, në fillim i pëlqen, por është/ ndodh të jetë dhe i zgjuar, i mirëedukuar dhe nuk i pëlqen të manipulohet. Është një lojë dhe nuk duhet ta humbë interesin.

Kur nuk je në punë dhe në xhirimet e serialit, si është dita jote e zakonshme?

Me motrat e mia! Sado e cekët të tingëllojë, lyhemi, rregullohemi, hamë një brunch ose drekë të mirë, nëse bëjmë dhe foto të denja për Instagram quhet një ditë e mbyllur me sukses!

Sa rëndësi kanë paratë në jetën tënde?

Paraja nuk hyn tek gjërat më me vlerë për mua se ashtu jam formuar, por ka njëfarë rëndësie. Lum kush e përdor si mjet. Mund të ishte letër e monedha siç e kemi, mund të ishte lëkurëdelesh, mund të ishte pasqyrë. Unë gjërat në jetën time i llogaris me vlerë shpirtërore, nëse s’më përmbushin në atë aspekt, s’ka para që mund ta rregullojnë.

Tre gjëra që të duhen ty për të qenë e lumtur?

Dashuri, pasion, aventurë. Do të më vrasësh, më dëno të jetoj çdo ditë njësoj dhe do vyshkem si një zymbyl.

Burri ideal për ty nga cili vend i botës duhet të vijë? Apo do preferoje nga një planet tjetër?

Burri im do jetë shqiptar se nuk më mbushet goja të shpreh dashuri apo të shpërthej në histërizma në gjuhë tjetër. Mjafton të plotësojë kriteret e përmendura më lart.

A pi alkool?

Vetëm kur dal darkave. Po më ze me tre gota dhe përfundoj gati gjithmonë...vazhdimin s’do ta mësoni kurrë.

Filmi yt i preferuar?

Çmenduritë e perandorit.Vdeeeees për prodhimet e Disney-t.

Loja jote e preferuar nga fëmijëria?

Nuk kam pasur fëmijëri si gjithë fëmijët e tjerë që luanin me peta…petka, nuk e di mirë si quhet. Por di që adhuroja të hidhesha nga muret dhe të kacavirresha në terrene të vështira.

Personi i parë që telefonon sapo hap sytë në mëngjes?

Mama ime, dashuria ime.

Mesazhi i fundit që dërgove mbrëmë?

Dy zemra. Jam e dashur në fund të ditës!

Dea Mishel Hoxha

Dea, ne të njohim përmes serialit "Hostel by Anabel", por nuk dimë shumë për jetën tënde përpara se të përfshiheshe në këtë serial. Na flit pak më shumë për Dean që nuk njohim...

Në cdo pjesë të hostel-it përveç pjesës së fundit, ne jemi në karakterin tonë. Prandaj kush më njeh aty di mjaftueshëm mendoj. Para hostel-it besoj isha njësoj, e vetmja gjë që ka ndryshuar është që jam rritur pak, kam mësuar gjëra të reja dhe jam pak më e njohur për njerëzit. Atëherë shkoja në shkollë, bëja video tutoriale me make up dhe punoja si beauty editor në Anabel.

Nga rrjetet sociale, kemi kuptuar që pjesëtari më i ri në familjen tënde është një mace e vogël, të cilën mos gaboj e gjete në rrugë...Kaq shumë të pëlqejnë kafshët?

Ndër kujtimet e mia të para të fëmijërisë janë momentet kur unë me babin ndihmonim kafshë të lënduara apo të dobëta që gjenim në rrugë. Kam ndihmuar shumë kafshë, disa i kam marrë e më pas i kam dhënë për adoptim, maçokun vendosa ta mbaj. U përshtat shumë shpejt në shtëpi, na vodhi zemrat. Mos blini, adoptoni:)

Pasioni yt më i madh për momentin, cili është?

Kam shumë pasione, jam ende duke krijuar veten. Nuk e di si më ndodh po asnjëherë nuk kam qenë duke bërë vetëm një gjë, gjithmone 2 ose 3 ose 4...

Ti je diplomuar për arkitekturë. Mendon se një ditë do punosh mbyllur në një zyrë duke skicuar projekte të rëndësishme arkitekturore apo nuk është punë për ty kjo?

Unë nuk i përkushtohem asgjëje nëse nuk e dua. Shkolla e arkitekturës zgjat 5 vite dhe ka shumë ngarkesë. S'mund të jetë diçka që bëhet thjesht për të pasur një diplomë. Përderisa i shkova deri në fund, do të thotë që më pëlqen shumë si punë dhe më vjen më natyrshëm nga çdo gjë që bëj. Nuk e di a do kisha pasur të njëjtin durim për diçka tjetër, zakonisht një vit me zgjat qejfi i dicvkaje, pastaj dua ndryshim.

Ndërkohë, ti ke një tjetër hobi të njohur edhe virtualisht përmes postimesh dhe videosh të ndryshme: grimin dhe make up tutorials video në përgjithësi. Ti gjithmonë e bën vetë grimin?

Po, shumë pak herë më kanë grimuar të tjerë dhe gjithmonë përfundoj duke i bërë disa prekje vetes. Ndonjëherë më marrin inat:(

Çfarë të pëlqen më shumë nga procesi i trukimit?

Unë lyhem glam ose nuk lyhem fare. Më pëlqen i gjithë transformimi që i bëj fytyrës, ndihem si njeri i ri çdo herë. Më mungojnë vetëm disa paruke dhe pasaporta me emra të tjerë.

Cila është këshilla më e rëndësishme që do i jepje të gjitha vajzave në lidhje me kujdesin për lëkurën dhe make up-in në përgjithësi?

Lëkura rrezaton kur përqendrohesh te jeta jote dhe jo e të tjerëve. Gjithashtu mos fli me grim dhe përdor gjithmonë krem hidratues dhe spf. 

Dea , a je e lumtur në këtë fazë të jetës tënde?

Po, po bëj punë që më pëlqejnë, jam e rrethuar nga njerëz të mirë dhe njerëzit që dua kanë shëndet e lumturi. 

Çdo të thotë për ty t'i kesh të gjitha në jetë?

Po ta dija, do i kisha tani. 

A je përshtatur mirë me rolin tënd në këtë serial, por edhe me vajzat e tjera të hostelit?

Në çdo pjesë ne jemi në karakterin tonë. Jo vetëm që jam përshtatur me vajzat, por jam shumë e lumtur që i kam njohur dhe punoj me to.

Ka vetëm marrëdhënie pune apo edhe miqësi mes ju të pestave?

Kemi kaluar shumë kohë me njëra-tjetren, do ishte e pamundur të kishim vetëm marrëdhënie pune. Kam mësuar nga secila dhe pavarësisht se jemi të ndryshme shkojmë shumë mirë.

Cila është gjëja më e bukur që të ka ndodhur në jetë?

Ditët më të bukura që mbaj mend janë ditët kur familja ime është shtuar me pjesëtarë të rinj, vëllai, kushërirat e vogla. Jam falenderuese për çdo ditë të re të bukur që jetoj, prandaj po të filloja me ndodhi të tjera, s'do mbaroja kurrë. 

Për çfarë pendohesh më shpesh?

Kur isha 12 vjeç, duke lexuar Harku i Triumfit nga Remarque, e vetmja gjë që fiksova në mendje ishte:

“Pendesa është gjëja më e pavlerë në botë”. Që atëherë e bëra stil jetese, nuk shikoj pas, nuk pendohem.

Udhëtimi i fundit që ke bërë?

Në Janar vizitova Korcën, Voskopojën dhe Dardhën. 

Vanity kit-i yt pa të cilin nuk udhëton kurrë?

Unë marrë një valixhe vetëm për produktet e makeup-it dhe flokëve kur udhëtoj.

Ana Haxhimali

Sa tatuazhe ke në trup?

Në trup kam gjithsej gjashtë tatuazhe. Mbase duket sikur kam me shumë se aq për shkak të përmasave të mëdha, ama janë vetëm gjashtë të bërë në një periudhë kohore katër vjeçare. Nuk janë shumë apo jo?

Pse mendon se një vajzë është e bukur me tatuazhe të mëdha e të dukshme në pjesë të ndryshme të trupit?

Unë mendoj se një vajzë është e bukur gjithsesi, tatuazhet janë pjesë e stilit tim individual. Kurrë nuk kam menduar të bëj një të tillë për të qenë e bukur, i kam bërë dhe mendoj se do të vazhdoj të bëj tatuazhe vetëm sepse më pëlqejnë dhe ndihem mirë me to.

A kanë një domethënie të veçantë secili prej tyre? Cilin ke më përzemër?

Sigurisht, secili nga tatuazhet që unë kam ka domethënie të veçantë për mua, ndërkohë që ai që kam më përzemër është një patkua i stilit “Old school” në pjesën e brendshme të krahut. Patkoi i kalit konsiderohet fatsjellës dhe unë jam mjaft supersticioze kur vjen puna te tatuazhet dhe domethëniet e tyre.

Ana, le ta pranojmë që ti ke pak "gothic" style dhe kjo të bën pak më ndryshe se vajzat e tjera, mendoj. Je ti natyrë e guximshme?

Stili është shumë personal, por nuk përkufizon karakterin tim. Fakti që në garderobë kam vetëm veshje të zeza nuk më bën më të guximshme, përkundrazi. Veten do ta përshkruaja më shumë si një vajzë që duke u veshur me të zeza fsheh pasiguritë që ka.

Numëro tri gjëra pa të cilat ti nuk bën dot çdo ditë të jetës tënde...

Nuk jam fare natyrë që lidhet me gjërat materiale, kështu që po listoj familjen, miqtë dhe punën që bëj.

Çfarë të frymëzon më së shumti?

Puna që bëj është ajo që më frymëzon. Kur kujtoj atë që kam për të bërë motivohem për t’u ngritur nga krevati edhe në ato ditët e zymta kur dëshira për të bërë gjëra më mungon.

"Hostel by Anabel" ishte një gjetje apo zbulim në jetën tënde?

Ishte shumë nga të dyja. Diçka të cilën e ëndërroja dhe pasi e gjeta më ndihmoi të zbuloja veten.

Si është jeta jote pas famës? Të njohin në rrugë, të flasin të panjohur, të dërgojnë ftesa për friends në rrjetet sociale?

Jeta ime vazhdon të jetë njësoj dhe më vjen mirë për këtë. Sigurisht në rrugë më ndodh të takoj njerëz që më njohin, ndërsa në rrjete sociale marrë mesazhe nga ndjekës të cilët më vlerësojnë. Po e shijoj, por në të njejtën kohë kjo njohje më bën të kujdesem shumë për mënyrën se si shfaqem qoftë në ekran, por edhe jashtë tij.

Ana në fakt si e ke ti raportin me jetën virtuale? Je addicted apo normal?

Mendoj se tashmë të gjithë jemi bërë nga pak të varur pas jetës virtuale. Unë sigurisht nuk i kam shpëtuar kësaj varësie, por çdo ditë përpiqem t’i ofroj më shumë nga koha ime raporteve të vërteta. Kam dëshirë t’i takoj njerëzit, t’i shoh në sy kur bisedoj dhe të mos fsheh gjendjen që më jep një bisedë e caktuar pas ca “hahahaha”- ve apo pas ca emoji-ve.

Një talent i fshehur yti është ai që ti di të kërcesh shumë valle popullore. Si e ke arritur këtë?

Që prej moshës 6- vjeçare jam ushtruar në balet dhe valle popullore. Për një periudhë 3- vjeçare kam qenë pjesë e “Ansamblit Tirana”. Kërcimi është një pasion i imi shumë i madh, ndoshta më i madhi. Kam kërcyer që e vogël me ëndrrën për t’u bërë balerinë profesioniste, ëndrra uk u realizua dot dhe tani them se më vjen mirë që nuk u bëra balerinë.

Sheh shumë filma? Cili është për ty filmi më i bukur i të gjitha kohërave?

Kohët e fundit kam filluar të shoh shumë filma, më përpara kam qenë shumë më e dhënë pas librave. Filmi im i preferuar  është “ Shaëshank Redemption”. Mund ta shoh 100 herë dhe ende magjepsem njësoj sikur ta shoh për herë të parë. “Get busy living or get busy dying”, është për mua një ndër shprehjet më të bukura, përpiqem ta mendoj si moton e jetës time.

Muzika jote e preferuar?

Nuk mund të them se kam të preferuar një zhaner specifik muzikor. Dëgjoj muzikë rock me po të njejtën ëndje siç mund të dëgjoj muzikë popullore tironse, muzikë Techno apo “4 stinët” nga Vivaldi. E habitshme në fakt!

Të pëlqen të argëtohesh në clubet e Tiranës? Del çdo ditë të javës apo vetëm në fundjavë?

Po më pëlqen të argëtohem, pse jo edhe në klube. Dal sa herë e kam të mundur dhe përpiqem t’i gjej gjithmonë kohë vetes për “clubing”. Fundjavë ose jo, për mua nuk është e rëndësishme, mjafton të jem e rrethaur nga njerëzit që dua dhe çdo gjë është në rregull.

Pushimet e verës këtë vit i ke planifikuar? Ku mendon se do i kalosh dhe me kë?

Jam shumë entuziaste që po shkojmë drejt verës! Këtë vit bashkë me miqtë e mi kemi planifikuar të shkojmë në një “Road Trip” nëpër Ballkan. Mendoj se kanë për të qenë pushime shumë po shumë active…

Alberta Kamenica

Nga fakulteti i Ekonomisë në skenat e xhirimit të "Hostel by Anabel". Si u gjende në këtë serial?

Besoj se isha në vendin e duhur në kohën e duhur. Punoja prej një viti në Anabel dhe Dalina më propozoi idenë e një seriali që kaloi në fazat e veta dhe u paraqit para publikut si “Hostel by Anabel.” Thashë “po” pa marrë parasysh asgjë. Deri ditën e parë të xhirimeve, nuk pranoja as të fotografohesha nga të tjerë, jo më të dilja para kamerave për një produksion të kësaj natyre. Jam rritur shumë, kam bërë qejf, kam mësuar goxha. Gjërat pasuan njëra-tjetrën dhe këtë vit, në vend të skeçeve që mbyllnin çdo episod të Hostelit, Dalina shkroi “#Love #Likes #Tirana” dhe më mori në konsideratë për rolin e Irisit.

E kishe menduar më parë se diçka e tillë do të të ndodhte në jetë? (pra të ishte pjesë e një filmi serial)
Jo, kurrë. E kam menduar veten në çdo lloj pune, mjeke, police, shkrimtare, përkthyese, farmaciste, ekonomiste, vetëm aktore jo. Frymëzohesha nga profesionet që kishin personazhet e serialeve që shihja, por për habinë time, s’më ra ndërmend profesioni i tyre i vërtetë, aktrimi.

Alberta, cilat kanë qenë filmat me të cilët je rritur ti?

Filma më kujtohen vetëm Shrek 2 dhe Monsters Inc, sepse mesa duket, tani që bëj llogaritë, paskam qenë e dhënë pas serialeve më shumë se filmave. Ngulja sytë pas çdo seriali që transmetohej në televizor deri ditën që morëm internet në shtëpi dhe fillova të përzgjidhja ç’shihja. Dr. House, CSI: NY, Breaking Bad, sezonet e para të Sherlock, këto më kujtohen.

Nëse një ditë do të bëje një film për jetën tënde, si do të quhej?

Oh, s’e di. Do ta vonoja me muaj përgjigjen e kësaj pyetjeje po të përpiqesha vërtet t’i gjeja një titull.

Po librat që ke lexuar më shumë kur ishe fëmijë?
Librat e mi të parë kanë qenë të gjithë të Gaqo Bushakës. Pas tij nisi lidhja ime jetëgjatë me Harry Potter. I merrja te biblioteka e lagjes njëri-pas tjetrit të shtatë vëllimet, i lexoja dhe kur i mbaroja, filloja sërish nga i pari. Pastaj i bleva të gjithë dhe ndoqa dhe disa herë të tjera të njëjtin cikël. E kam tepruar, e di. Përmidis, sigurisht disa nga librat e Viktor Canosinajt dhe “Nirupa dhe Libri i Hijeve,” që e kam lexuar vetëm një herë dhe më kujtohen gjallërisht ndjesitë që më shkaktoi. Në adoleshencë fillova të anoja nga Sartri, Murakami, Cvajgu e Remarku.

Imagjinatën nga realiteti, çfarë mendon se e dallon?

Perceptimi. Kur e perceptojnë të gjithë është realitet. Kur e percepton vetëm ti, është imagjinatë.

Je tipi i vajzës me këmbë në tokë apo asaj ëndërrimtares së pandreqshme?
Për veten do të thoja se jam me këmbë në tokë. Më pëlqejnë gjërat e planifikuara, të mirëmenduara, të qarta. Spontaniteti s’është miku im më i mirë. Sidoqoftë, dikush pranë meje ma ka nxjerrë disa herë në pah se i vë vetes synime ndoshta më optimiste se ç’duhet. Kështu që, pak nga të dyja.

Nëse do të kishte mbetur vetëm në një ishull të shkretuar, mendimi i parë që do të vinte në kokë cili është?

“Shpresoj që mami mos të ketë lënë Sharlin (macen) jashtë!”

Udhëtimi i fundit që ke bërë?

Tushemisht, Krishtlindjet e kaluara.

Ishe e shoqëruar apo vetëm?

Isha me familjen.

Çfarë të bën të qeshësh gjithmonë?

Xhoi, motra ime. Kemi një kimi fantastike bashkë. Na puqet humori gjithmonë, që s’është çudi duke marrë parasysh se unë jam Shigjetar, ndërsa ajo Dash.

Diçka që nuk mungon kurrë në çantën tënde?

Një grusht faturash të vjetra dhe komplet të panevojshme.

Kush ka ndikim më të madh në jetën tënde apo në atë që bën?

Askush përveç meje. Unë vendos të bëj diçka nëse më rrit, më bën të ndihem në siklet e më përmirëson.

Cila është fobia jote më e madhe?

E vetmja fobi e mirëfilltë që kam është ndaj sipërfaqeve me vrima të imëta e të shpeshta. Quhet trypophobia.

Cila është ambicia jote më e madhe?
Ah, do të doja që një ditë të krijoja mundësi e të hapja dyer për të tjerët, porsi më ndodhi mua.

Violeta Gjoleka

Si u bëre pjesë e "Hostel by Anabel"? E kishe çuar ndërmend më herët që do të ishe pjesë e një seriali të tillë?

Në fakt, jam bërë shumë rastësisht pjesë e Hostelit. Një ditë isha duke nderur rrobat kur më mori Dalina në telefon dhe më pyeti thjesht nëse doja të isha pjesë e një emisioni që kishte në plan të bënte dhe unë thashë po në shpjetësi e sipër pa e menduar aspak dhe pa ditur asnjë detaj. 

Viola, si i ke raportet me katër vajzat e tjera të hostelit? Pasi mbaroni xhirimet, dilni për darkë apo për ndonjë gotë?

Ne shkojmë shumë mirë me njëra-tjetrën dhe nuk kemi pasur kurrë probleme. Të gjitha jemi shumë të ndryshme nga njëra- tjetra por, ama kjo gjë nuk na ka penguar që të jemi edhe shoqe. Përpara se të fillonte hosteli ne kemi punuar të gjitha tek zyrat e Anabel përveç meje që punoj tek Via Anabel ama më  besoni kur ju them jemi një staf me goca që shkojmë shumë mirë mbështesim njëra-tjetrën dhe marrim më të mirat e njëra-tjetrës sidomos në funksionet e punës. Për sa i përket nëse dalim për të ngrënë apo për të pirë pas xhirimeve, më besoni që duam vetëm të flemë gjumë.

Gjëja më e çuditshme që të ka ndodhur gjatë xhirimeve të episodit të parë dhe atij të dytë të "Hostel by Anabel"?

Hostel by Anabel duket shumë argëtues në sytë e njerëzve dhe unë jam shumë e lumtur që njerëzit e kanë pritur shumë mirë. Për sa i përket gjërave të çuditshme s'më kujtohet ndonjë gjë por ka pasur shumë gallata dhe histori për të qeshur mbrapa.

A ke diçka që do ta thuash me zë të lartë për veten dhe që të gjithë ta marrin vesh?

Unë jam shumë njeri i hapur dhe social por nuk është se më pëlqen të ulëras për veten.

Viola në film dhe Viola në jetë, ngjashmëritë dhe dallimet mes të dyjave?

Viola në serial është një vajzë shumë e sinqertë, pa takt në kuptimin e mirë të fjalës, argëtuese, në botën e saj dhe shpesh herë shumë larg realitetit deri në momentin që vërtet fillon të kuptojë që diçka shumë e rëndësishme po ndodhte me jetën e saj gjithsesi kjo mbetet për t'u parë! Kurse Viola në jetë në fakt thellë thellë ngjan pak me Violën e serialit, por shumë më e pjekur dhe më afër realitetit dhe gjërave që ndodhin. 

Ti ke studiuar për financë, por a e ke ushtruar ndonjë ditë këtë profesion? E sheh si zgjidhjen e së ardhmes?

Unë punoj tek Via Anabel si menaxhere e shitjeve dhe kjo më bën që të jem më afër me shkollën që kam mbaruar. Financa nuk ka qenë ajo që unë doja të bëja në jetë, por ajo që mami im ka dashur të bëja. Gjithsesi asnjëherë nuk do të bëja një gjë kot. Financa është e bukur, por unë kurrë nuk do të jem një ekonomiste e mirëfilltë, por në një fushë tjetër të financës si menaxhimi, marketing, patjetër.

Mendon se fama e ndryshon njeriun?

Unë nuk mendoj që fama e ndryshon njeriun. Është e vërtetë që ty fillojnë të të njohin njerëzit dhe të njohësh njerëz të rinj ama je përsëri i njëjti person në fund të ditës me njerëzit që ke afër.

Me tre fjalë, si do ta përshkruaje veten tënde?

Unë jam një vajzë e thjeshtë, punëtore dhe shumë e dashur. Është shumë e vështirë ta përshkruash veten.

Tipari karakteristik që mendon se të dallon bindshëm nga katër vajzat e tjera të hostelit?

Po ne të gjitha kemi karakteristikat tonat e të veçanta të cilat kur bashkohen e bëjnë Hostelin të bukur. Ahh po, zëriiii.

Çfarë të fal më shumë lumturi?

Prania e njerëzve që dua.

Forca jote më e madhe?

Forca dhe shembulli im më i madh është mami.

Frika jote më e madhe?

Të mos kem njerëzit që dua. E di jam shumë e ndjeshme!

Credits:

Fotografitë: Orsola Mema, Class Photography

Location: Plaza Hotel

Veshjet: Via Anabel

MUA:  Class Hair and Make Up

Designer: Xhesika Berisha