Një rast i rrallë që ka ndodhur në një spital të Gjermanisë (Holweide Hospital, Cologne, Germany), me dy motra binjake që kanë lindur me një diferencë prej 97 ditësh nga njëra-tjetra.
Më shumë se tre muaj i është dashur Liana-s, motrës së parë, për të takuar binjaken e saj – një rast unik jo vetëm për spitalin, por edhe për vetë mjekësinë, në fakt. Madje, mjekët e kanë konsideruar rekord botëror rastin e binjakeve.
Oxana, nëna e motrave, solli në jetë të parën, Liana, më 17 nëntor të vitit të kaluar, në javën e 26-të të shtatzënisë. Vogëlushja peshonte 900 g.
Më pas, asaj i duhej të priste edhe ca për të takuar vajzën tjetër, Leonie, e cila erdhi në jetë më 22 shkurt - dhe peshonte plot 3.7 kg.
Megjithëse është një rast i rrallë dhe i padëgjuar më herët, e vërteta që vërejtën mjekët ishte se pas lindjes së vajzës së parë, kontraktimet e Oxana-s u ndalën, kështu që ata vendosën që vajza e dytë të qëndronte edhe disa kohë në mitër.
Pasi bënë të gjitha ekzaminimet e nevojshme, mjekët vendosën që nëna duhet të vazhdonte normalisht me shtatzëninë “e dytë”.
Një zëdhënës i spitalit tha për mediat: "Pas lindjes së binjakes së parë, qafa e mitrës u mbyll përsëri dhe motra e palindur mund të jetonte aty normalisht".
Shefi i maternitetit, Dr Uwe Shellenberger tha: "Kushtet ishin shumë të mira edhe për shkak të placentës së dytë ekzistuese. Ne donim të përpiqeshim që fëmija i dytë të rritej sa më shumë të ishte e mundur në mitër".
Me një diferencë prej 97 ditësh mes tyre, kjo lindje mund të ketë vendosur rekord të ri botëror. Sipas hulumtimit të kryer nga spitali, diferenca më e madhe deri tani ka qenë një rast i binjakëve të lindur me 87 ditë diferencë, në Irlandë, në vitin 2012.
Dr Schellenberger shtoi: "Është një rast shumë i rrallë për maternitetin tonë, por nuk është hera e parë që binjakët lindin me shumë ditë diferencë në spitalin Holweide. Megjithatë, diferenca prej 97-ditësh është unike në të gjithë botën, në dijeninë tonë."
Liana e vogël kaloi shumë javë në spital derisa fitoi peshën optimale për të qëndruar në shtëpi. Sot, të dyja vajzat peshojnë plot 5.7 kg dhe janë të shëndetshme.