Buka e Pashkës përgatitet mëngjesin e Pashkës në pothuajse çdo familje të krishtere dhe duke qenë se ka një shije as të ëmbël, as të kripur, konsumohet për mëngjes, lyer me pak reçel ose edhe me djathë të bardhë. Mund t’i jepen forma nga më të ndryshmet, që nga gërsheti e deri tek forma klasike e gjevrekut. E vetmja gjë me të cilën duhet të besh kujdes, është ngjyruesi që do të ngjyrosësh vezët e Pashkës; duhet të jetë patjetër ushqimor!

Përbërësit

1/2 kg miell tip 00

5 vezë

100 gr gjalpë të shkrirë në mikrovalë

100 ml qumësht

150 gr sheqer

30 gr maja birre

3 vezë të ngjyrosura Pashke

Përgatitja:

Fillimisht, shkrijmë majanë e birrës në pak ujë të ngrohtë duke shtuar më pas edhe qumështin e vakët. Shtojmë një lugë të vogël sheqer, gjysmën e miellit dhe i përziejmë mirë derisa të formohet një përbërje homogjene. Në këtë moment, brumi rezulton pak ngjitës në duar, por nuk është problem. E lëmë të vijë të gjithë masën në një ambient të ngrohtë, larg korrenteve të ajrit (p.sh. në furrën e fikur) për rreth 2 orë apo derisa të dyfishojë vëllimin e saj. Në një enë të madhe, rrahim me ndihmën e një mikseri elektrik vezët me pjesën e mbetur të sheqerit, shtojmë gjalpin e shkrirë në mikrovalë dhe gjysmën tjetër të miellit. Pasi të kenë kaluar dy orë dhe brumi të jetë fryrë, e bashkojmë me brumin e mësipërm me vezë duke i përzier sa më mirë me njeri-tjetrin në mënyrë që të formohet një masë e vetme, e cila duhet të rezultojë elastike dhe jo shumë e hollë (në këtë rast, shtojmë edhe pak miell). E vendosim sërish për t’u fryrë edhe për 2 orë të tjera. Pasi ka kaluar kjo kohë, e ndajmë brumin në dy pjesë duke formuar dy rripa të gjatë të cilët i gërshetojmë midis tyre. Vendosim në mes vezët e kuqe të ziera, e transferojmë në tavën ku do ta gatuajmë të lyer paraprakisht me pak gjalpë dhe miell dhe e lëmë të vijë edhe për një orë tjetër. E pjekim në furrë të parangrohur në 180°C për rreth 30 minuta./unegatuaj.com/