Adela Muçollari, primabalerina e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, do të përfaqësojë Shqipërinë në jurinë e çmimit prestigjoz “Premio Roma Danza 2019”, që do të mbahet në Romë pas disa ditësh. Në këtë kompeticion shumë të rëndësishëm, balerina e talentuar shqiptare do të jetë në krah të anëtarëve të tjerë të jurisë, emra të shquar të akademisë së baletit ndërkombëtar.

Mes shumë yjeve të tjerë të skenës dhe baletit ndërkombëtar, edhe Adela do të jetë pjesë e një eventi artistik të niveleve të larta jo vetëm në Itali, por në pothuaj të gjithë Europën.

Adela Muçollari është një nga primabalerinat më të talentuara që aktualisht interpretojnë në skenën e TKOB-it. Për shumë vite me radhë si balerinë në TKOB, Adela ka luajtur shumë role të spikatur, madje edhe bashkë me vëllain e saj, Anxhelo Muçollari.