Konkursi i famshëm i bukurisë “Miss Albania ‘91” është shënuar në histori dhe do të mbahet mend gjatë sidomos nga brezi i rinisë së atyre viteve. Shumicën prej vajzave pjesëmarrëse, me siguri e keni harruar, por dy Valbonat kurrsesi. E para, ajo që vazhdon ta mbajë kurorën edhe sot e gjithë ditën, por edhe tjetrën, Valbona Çobën, Miss Fotozhenia ’91 – një bukuri tipike mesdhetare, mistike, që mbeti e tillë, pavarësisht viteve.

Pas qëndrimit disavjeçar në Greqi, ku pati shumë kontrata modelingu, Çoba fluturoi në Amerikë, ku gjeti hapësira të reja për të bërë modelen, aktoren, por gjeti edhe dashurinë e jetës, Todd Christopher, e u bë nënë e tre fëmijëve.

Viti 2010 ishte i fundit takim i Valbona Çobës me vendlindjen. Dasma tradicionale, tipike shqiptare në Tiranë, mblodhi të gjithë miqtë dhe të afërmit e bukuroshes dhe ia ktheu edhe një herë vëmendjen. Fotot zyrtare me fustan të bardhë nuk kishin nevojë të komentoheshin – nusja me sy të thellë shprehës, me fustanin e bardhë të vërtetë, shkëlqente si kurrë më parë në ndonjë pasarelë me fustan të bardhë…

Po sot, 9 vjet pas dasmës?

Sot, Valbona është nënë e tre fëmijëve. Aiden, djali i saj i madh 5-vjeçar ka edhe një motër dhe një vëlla më të vogël, binjakët, 3-vjeçarë Elira dhe Brendon. Po çfarë bën tjetër Valbona veç mëmësisë?

Nga studio e “Rudina”, ku ishte e ftuar pasditen e sotme, Ardita Mullai, spikerja e njohur e ekranit në vitet ’90 dhe e shumë projekteve të tjera televizive, rrëfeu edhe për miqësinë e ngushtë që ka me Miss-in shqiptar. Siç tha Ardita, në ato vite kur i gjithë stafi i TVSH-së udhëtonin dhe bënin ture nëpër koncerte, ato të dyja rrinin shumë bashkë. Madje, edhe në fotot që prezantohen për publikun, kjo është e dukshme:

“Valbona është një vajzë me shpirt shumë të bukur. Mbaj mend shumë histori me të. Më vjen keq që pas dasmës, në vitin 2010, ajo nuk ka mundur të vijë më në Shqipëri”, – tha Ardita ndër të tjera, por shtoi se dasma e Valbonës, ku ajo ishte shoqëruesja, ishte tipike tradicionale, me gjithçka shqiptare.

Flas shpesh me të. Vazhdon të punojë shumë. Kohën e ka shumë të ngjeshur, edhe me tre fëmijët. Më thotë shpesh që është përherë duke vrapuar. Nuk kam kohë, thotë, ç’të bëj… Ka dëshirë të vijë në Shqipëri, por duhet edhe pak kohë që fëmijët të rriten e të jenë më të pavarur…”

Ardita kujton me shumë nostalgji kohën e bukur që ka kaluar me Valbonën, por edhe me miq të tjerë të ekranit të atyre viteve. Sot, ndonëse një pjesë e mirë e tyre kanë ndjekur të tjera rrugë, për Arditën është bukur që ajo kohë në televizion ka qenë një shkollë e vërtetë në karrierën e saj.