Fotot e martesës së tyre në ishujt Maldive vetëm pak ditë më parë, vijojnë të bëjnë xhiron e medias shqiptare. Ishte vërtet një surprizë e papritur, por e këndshme për të gjithë ne, për fansat, miqtë e ngushtë e familjarët e tyre. Edhe pse, në një puntatë të emisionit "Soiree" në Top Channel, Miriam Cani dhe Alban Skënderaj e kishin paralajmëruar çështjen e martesës, por askush nuk e mendonte që do të ndodhte kaq shpejt.
Ja ku erdhi supriza për të gjithë! Pas 12 viteve histori dashurie, fryt i së cilës është edhe vogëlushja e tyre Ameli, dy artistët e njohur shqiptarë i kanë thënë "PO", njëri-tjetrit në parajsën tropikale, aty ku Miriami mori propozimin e rrallë të martesës nën ujë. Çifti i këngëtarëve të dashur për publikun janë zyrtarisht burrë dhe grua, ndaj dhe momentet magjike ata i kanë ndarë edhe virtualisht në rrjetet sociale, e ato vazhdojnë të miklojnë edhe sot.
Por, pas panoramës fantastike dhe martesës së tyre, ja ku vjen një tjetër super lajm! Të cilin nuk e themi ne, as po e hamendësojmë, por përkundrazi e kanë konfirmuar ata të dy! Në një foto romantike, ku ata shfaqen duke u puthur me njëri-tjetrin, Albani ka zbuluar lajmin e shumëpritur. Datën 30 Maj, që duket se rezervon surprizën e radhës që do të bëjë të lumtur me siguri fansat e tyre të shumtë. "Përveç ditëlindjes tënde, po vjen edhe një surprizë domethënë, #Duam", i shkruan Albani nën foto, që siç duket lë të kuptojë se një duet i radhës me titullin "Duam" do të jetë prurja e tyre e re artistike.
Ky lajm i bukur sapo i lumturoi të gjithë adhuruesit e muzikës së tyre të ndjerë! Edhe ne mezi presim!