Titulli: Mami, unë dhe mami

Titulli në origjinal: Mom & me & mom

Autori: Maya Angelou

Përktheu: Jerina Dushku

Zhanri: Roman autobiografik

Data e botimit: Qershor, 2019

Numri i faqeve: 178

Çmimi: 800 lekë

Koleksioni Lotus

 

Libri me një fjali

Ajo lloj dashurie që të shëron dhe të çliron, që të jep forcën dhe kurajon për t'u ngritur nga thellësi të pamata në lartësi të pamundura.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Në këtë libër autobiografik, autorja e njohur rrëfen marrëdhënien më kuptimplotë të jetës së saj: atë me të ëmën. Për herë të parë, Angelou zbulon vështirësitë dhe gëzimet e të qenit bija e Vivian Baxter-it, një shpirt i paepur në një trup të vogël. Trup imcak, që maskon praninë gjithëpërfshirëse, por të munguar, të nënës gjatë fëmijërisë së shkrimtares. Kur martesa e saj filloi të shkërmoqej, Vivian Baxter-i i dërgoi dy fëmijët (djalin e madh dhe Maya-n trevjeçare) tek e vjehrra, në Arkansas. Ndjenja e braktisjes, pasojë e kësaj ndarjeje të dhimbshme, do ta shoqëronte gjatë Angelou-n. Dhjetë vjet më vonë, bashkimi i tyre do të shënonte pikënisjen e një historie të parrëfyer më parë.

Sikur të mos mjaftonte ajo traumë e parë, jeta e saj do të karakterizohej nga një luhatje e atillë fatesh, sa të paktë do të ishin ata që do të kishin arritur të mbijetonin, e akoma më të rrallë ata që do të gjenin suksesin dhe famën ndërkombëtare.

Në këtë rrëfim të fundit, të botuar vetëm një vit para se të ndërronte jetë, Angelou na paraqet një ndër marrëdhëniet më të gjalla, shpërblyese dhe të ndërlikuara të jetës së saj. “Mami, unë dhe mami” zbulon shërimin e plotë, të bazuar në dashuri, kohë dhe energji, por që në fund i dha autores forcën dhe kurajën për t’u ngritur nga thellësi të pamata në lartësi të pamundura.

Kritika

Mami, unë dhe mami shfaqet me humorin karakteristik dhe optimizmin krenar të autores Maya Angelou. Nëse vini re ndopak zemërim midis rreshtave, në mbeten pa u zbuluar të gjitha hollësitë e hidhura, kjo ndodh sepse Angelou di të falë. Ky libër tërheqës rrëfen më së miri historinë e një pajtimi njerëzor.

The Washington Post

Duke risjellë në kujtesë këtë marrëdhënie të koklavitur, autorja zbërthen për herë të parë rrugëtimin nënë-bijë drejt pajtimit, lidhjes së fortë dhe ndihmës... Angelou portretizon gjallërisht një grua me shpirt të fortë. Një kronikë e mrekullueshme dhe thellësisht domethënëse e dhembshurisë dhe e ripërtëritjes.

Booklist

Dashuria dhe mësimet e paraqitura në këtë roman do t’u flasin atyre që po përpiqen të gjejnë udhën e vet në botë.

Publishers Weekly

Mami, unë dhe mami është historia prekëse e një ndarjeje dhe e një bashkimi, si dhe portreti optimist i mëmësisë. Me gjithë traumat e rrëfyera këtu, dashuria e nënës ndaj bijës mund të përmblidhej në një rresht: “Shpirt, e kam menduar gjatë dhe tani jam e sigurt. Ti je gruaja më e shkëlqyer që kam njohur në jetë.”

The Independent

Prekës... një portret i jashtëzakonshëm i dy shpirtrave guximtarë. – People

[Vepra] e fundit, dhe më e fuqishme, e serisë së autobiografive të saj... një vepër kokëfortë dhe zemërbutë që i shtohet krijimtarisë mbresëlënëse të Angelou-së.

Elle

Hipnotizuese... Angelou ka ende aftësinë të na habisë me qasjen e saj ndaj fjalëve dhe, kur gjen të ëmën si subjekt, ajo ka gjetur si muzë pothuajse të përkryer, një grua të mistershme.

Essence

Si gjithmonë, shkrimi [i Angelou-së] prek drejtpërsëdrejti aty ku dhemb, i ngjeshur dhe i thjeshtë, dhe në sfond na shfaqet një lëmim i rremë, shkulme dhe breshëri lirike midis çastesh ligësie... Një memuar për jetën me të ëmën, i kopsitur mirë, me një melodi të tijën.

Kirkus Reviews

Me një stil të drejtpërdrejtë, “Mami, unë dhe mami” thellohet në marrëdhënien e koklavitur të autores me të ëmën... Në moshën 84-vjeçare, Angelou nuk duket se po e ngadalëson ritmin.

BookPage

Titulli: Kam shumë për të thënë

Titulli në origjinal: Op de hoogte

Autori: Christophe Van Gerrewey

Përktheu: Irena Rama

Zhanri: Roman

Numri i faqeve: 140

Data e botimit: Maj, 2019

Çmimi: 600 lekë

 

Libri me një fjali

Monologu i pafund, por i dëshpëruar, i një burri që ka humbur dashurinë, por kërkon ende të flasë me ish-të dashurën e vet, ndaj zgjedh t’i shkruajë një letër, që e di qysh në fillim që do të përfundojë në roman, për ta lexuar të gjithë njerëzit.

 

Informacion i përgjithshëm

Një djalë i ri, i zhytur në plogështinë e rrethanave të pashmangshme, nis t’i shkruajë një letër ish të dashurës. Qëllimi i tij fillestar është t’i tregojë asaj sa shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ndarja e tyre. Teksa shkruan, ai fillon të kuptojë se atë letër nuk do ta dërgojë kurrë, madje fillon të fantazojë se ndoshta duhet ta botojë atë. Nga ana tjetër, dërguesi dhe marrësja e letrës marrin jetë dhe shkëputen pak nga pak nga autori.

Marrësja kthehet në një rrëfimtare të dytë, duke i dhënë frymë një tjetër historie, një varianti të dytë, një interpretimi të ri të historisë së tyre. Ky akt fillimisht “hakmarrës” shndërrohet në një dialog që skicon vështirësitë e historive moderne të dashurisë.

Romani duket se eksploron botëkuptimin tonë mbi dashurinë, me anë të një historie dashurie në dukje të thjeshtë, duke e shpalosur atë ngadalë e duke nxjerrë në pah kontradiktat themelore të idealit dashuror.

Ky roman largohet nga normat e zakonshme të stilit apo strukturës formale dhe paraqet një thellësi mendimi, që e shtyn lexuesin të identifikohet me rrëfimtarin si të ishte një bashkautor.

“Kam shumë për të thënë” fitoi Çmimin e Debutuesve në vitin 2014, në Belgjikë, si dhe arriti ndër finalistët e disa çmimeve letrare belge. Në vitin 2016, fitoi Çmimin Europian për Letërsinë.

Kritika

Dashuria nuk mungon si temë në veprat letrare, por janë të paktë ata që kanë arritur të shkruajnë për të në një mënyrë kaq të zgjuar sa i riu flamand, Christophe Van Gerreëey... Duket i aftë të sjellë në jetë edhe gurët.

Volkskrant

Ky mjeshtër i stilit shkëmben, pa u sforcuar, deklarata lirike dashurie e urrejtjeje me kritika shoqërore e letrare thumbuese.

NRC Handelsblad

Një vepër debutuese tërheqëse dhe bindëse.

De Standaard

 

Autori

Christophe Van Gerrewey (1982) ka studiuar për arkitekturë në Universitetin e Ghent-it dhe shkencën e letërsisë në Universitetin Katolik të Leuven-it. Është konsideruar një nga shkrimtarët e rinj më premtues belgë. Në 2012, u botua romani i tij i parë “Kam shumë për të thënë”, një roman në formën e letrës për një dashuri të humbur. Në 2013, po për këtë roman, mori Çmimin e Debutuesve, në 2014, çmimin letrar për Flamandët e Lindjes. Në vitet në vijim, ka botuar edhe romane të tjera si “Train with delay” (2015) dhe “Werk Werk Werk” (2017). Ka botuar artikuj të ndryshëm për arkitekturën dhe letërsinë në revista të rëndësishme belge dhe europiane.

Në 2016, fitoi Çmimin Europian të Letërsisë për romanin “Kam shumë për të thënë”. Që nga viti 2015, është profesor i teorisë së arkitekturës në EPEL, Lozanë, Zvicër.

Fragmente nga libri

1) Është e vështirë të imagjinohet se sa e mërzitshme mund të jetë jeta martesore dhe sa të kota janë përpjekjet për ta mbajtur në këmbë një martesë të pashpresë. Vështirë të imagjinohet se sa patetikë bëhen njerëzit kur bie fjala për dashurinë, se si ankohen dhe u shmangen disa të vërtetave, se si ngecen në vendnumëro në jetën e tyre dhe, të mbytur nga keqardhja për veten, kapen pas emocioneve të përjetuara në të shkuarën.

2) Më duhet të të mbaj në këtë fjali të parë si një shami të mbledhur shuk dhe pastaj, ashtu siç bën klouni, të të nxjerr prej andej si një buqetë. Kështu duhet të fillojë një letër: me cilësitë më të veçanta, të shprehura me një mbiemër të vetëm (mundësisht i paraprirë nga një ndajfolje), ndjekur nga emri i të adresuarit, që jo domosdoshmërisht e dinë të gjithë, por që shpesh është një variant, i cili tregon marrëdhënien që ekziston midis dërguesit dhe marrësit. Në këtë rast, një hyrje e tillë është e pamundur, për shumë arsye. Gjithsesi, kjo nuk është një letër, kështu që s’jam i detyruar të të drejtohem dhe të të rrëfej ty – të rrëfej për ne dhe për atë që ndodhi mes nesh. Ky është një lloj teksti, në të cilin vlejnë të tjera rregulla.

3) Unë kam bërë vetëm zgjedhje të gabuara, dhe është shumë vonë për të bërë diçka ndryshe, kaq vjeçe sa jam, më duket e paimagjinueshme që kam vetëm dy zgjedhje; ose të bëj punë vullnetare, gjë që më pëlqen deri diku, por patjetër jo përgjithmonë dhe përveç kësaj marr edhe asistencë sociale, ose të bëj një punë ku s’është nevoja të vë trurin në lëvizje dhe të bie në depresion. E di që s’duhet të të zbrazem ty, më fal, madje as nuk e di nëse duhet të t’i them këto gjëra, kjo nuk i bën mirë lidhjes sonë, madje as përshtypjes që mund të kesh krijuar ndërkohë për mua, por ti më njeh, është vonë, e di, e shoh nga mënyra se si më vështron, me siguri që mendon: çfarë do të bëhet me ty, çfarë të dashure kam  – mos më shih ashtu!