Ju, me siguri, e shihni çdo ditë në ekran Senada Jahon, spikeren e njohur të lajmeve në News 24. E keni parë edhe bashkë me tezen e saj, Mesila Doda, e ftuar në studio televizive, por sot, në “Rudina”, ajo rrëfeu një profil tjetër të vetes.
E diplomuar në Itali për trashëgimi kulturore, Senada nisi të punojë si kuratore imazhi pranë Tv Klan, pas kthimit në Shqipëri, por më pas, pasioni për ekranin e bëri të jetë para kamerave. Rrugëtimin e nisur fillimisht në Tv Klan e vazhdoi si spikere lajmesh në televizione të tjera.
Duke rrëfyer disa prej sfidave dhe zgjedhjeve që i është dashur të bëjë për të qenë në ekran, Senada zbuloi edhe raportin e saj të ngushtë me tezen, Mesila Doda, e cila, ka qenë për të një mbështetje e madhe dhe e pazëvendësueshme. Senada tregoi se ka jetuar me ish-deputeten në shtëpinë e gjyshërve, pas humbjes së nënës së saj kur ishte vetëm 3 vjeç.
Duke folur për të ëmën, spikerja nuk i mbajti dot lotët, që shoqëronin rrëfimin e saj për të ndjerën.
“Me tezen kam marrëdhënie shumë të ngushtë, për shkak se unë jam rritur tek familja e gjyshërve. Mesila ishte ende e pamartuar dhe jetonim të gjithë bashkë për shkak të tragjedisë që unë kam pasur brenda familjes time. Mamaja ime ka vdekur shumë e re ,unë isha shumë e vogël, vetëm 3 vjeç dhe menjëherë vajta tek shtëpia e gjyshërve. Aty u rrita dhe kam marrëdhënie shumë të ngushta me të gjithë. Nuk kam shumë kujtime nga nëna ime. Mbaj mend vetëm fragmente, kur më tregonte përralla, kur rrija shtrirë, doja gjithmonë të rrija pranë saj. Nuk mbaj mend shumë, sepse kam qenë shumë e vogël. Nga njëra anë edhe mirë është kjo gjë, sepse nuk e kam përjetuar aq shumë sa ime motër, që është më e madhe se unë. E kam përjetuar patjetër gjatë rritjes, sepse nëna është nënë dhe të mungon. Edhe tani që sa vjen e rritem, do doja të më shikonte. Ajo është gjithmonë pranë meje”,- tha Jaho.