Pothuaj 3.5 milionë klikime në më pak se dy javë nga publikimi dhe "Çikat" është kthyer në trendin e ri për të rinjtë, bashkëmoshatarët e reperes së re, Rina Balaj, por edhe për bashkëkohësit e Adelina Ismailit.
Sapo doli kënga, mediat u përfshinë në këtë dyshe të pazakontë, por shumë interesante që, si fillim, erdhi si një propozim i reperes 19-vjeçare dhe më pas, me konfirmimin absolut të Adelinës. Rina ishte sot e ftuar në "Rudina" për të zbuluar më shumë për këtë bashkëpunim, i cili lindi në një parukeri. Në fakt, në të njëjtën parukeri të Adelinës dhe të vetë Rinës.
Pasi falënderoi shumë Adelinën, e cila i hapi krahët dhe u tregua e gatshme për të bashkëpunuar me të, Rina tregoi se nuk e priste që Adelina të ishte ashtu:
"Unë e kam pasur gjithmonë ëndërr një këngë me Adelinën dhe në momentin e parë që e kam takuar kemi qenë te frizeri. Kur e takova aty dhe kemi biseduar, ka pasur menjëherë një lidhje të veçantë. S'e kam besuar që Adelina do ishte ashtu. Shumë e thjeshtë, shumë e hapur, shumë e gatshme... Unë kisha kënduar si fillim "ani çika ani" dhe variantin e parë ia kemi treguar Adelinës. Adelinës i ka pëlqyer menjëherë dhe për këtë i jam shumë mirënjohëse dhe e falënderoj pa masë. Adelina është legjenda jonë..." - tha Rina, por nuk e kishte parashikur se edhe Adelina kishte një mesazh publik për të.
Veç vlerësimit të artistes së re, me të cilën kishte kaluar një eksperiencë fanstastike, Adelina tha edhe një herë tjetër se Rina "do të jetojë gjatë" në tregun muzikor, kështu që ne duhet të bëhemi gati.
Gjatë bisedës, Rina dhe Rudina kujtuan edhe kohën kur reperja konkurronte në "X Factor Albania"...