Edicioni i parë i reality show-t Big Brother Albania të disa viteve më parë, do të mbahet mend gjatë jo vetëm për risinë që solli ky format dhe interesin e madh tek publiku dhe audienca, por edhe për vetë protagonistët që ishin pjesë e tij e që i mbajtën të "gozhduar" para ekranit njerëzit për orë të tëra. Një prej tyre ishte edhe Ilda Gega! Vajza bukuroshe, me sytë e shkruar, ishte një nga personazhet me të lezetshëm aty brenda shtëpisë më të vëzhguar në Shqipëri asokohe. Pas famës, Ilda gjithsesi vijoi të përbënte interes për median gjithmonë, ndonëse ajo jeton mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Vetëm dje, Ilda i ka dhënë fund beqarisë duke kurorëzuar në altar dashurinë e saj me djaloshin me emrin Christopher, me të cilin ajo jeton prej vitesh një histori të bukur dashurie. Çifti ka vendosur që të bëjë një dasmë në Shqipëri, ku nusja ka një pjesë dërrmuese të shoqërisë apo të afërmve të saj, ndërsa dhëndri është me origjinë libaneze dhe ata të dy ndajnë jetën e tyre në Amerikë.
Shumë elegante, me fustan të bardhë, me një model të thjeshtë flokësh ish-banorja e Big Brother Albania shkëqente në ditën më të bukur të jetës së saj. Pas ceremonisë së celebrimit në Pallatin e Brigadave është mbajtur edhe dasma, që nuk i ngjante aspak një organizimi të zakonshëm, por më shumë një atmosferë e veçantë me muzikë të zgjedhur, me kërcime, surpriza, miq, etj.
Ne të Class gjejmë rastin për t'i uruar jetë të lumtur Ildës dhe partnerit të saj!