Titulli: Blu safiri

Titulli në origjinal: Saphirblau

Autori: Kerstin Gier

Përktheu: Irena Nasi

Zhanri: Fanta-shkencë

Data e botimit: Korrik, 2019

Numri i faqeve: 316

Çmimi: 1000 lekë

Libri me një fjali

Një libër që me ironi, fantazi dhe origjinalitet, të mban pezull dhe të zbavit, duke të shëtitur përgjatë mijëvjeçarit, në përmbushje të një misioni në të mirë të njerëzimit.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

“Blu safiri” është vëllimi i dytë i trilogjisë së gurëve të çmuar, pasues i romanit “E kuqe rubini”. Qysh në çastin që zbuloi se ishte e fundmja e të Dymbëdhjetë udhëtarëve të kohës, jeta e Guendolinës mori tjetër kthesë. Ajo nuk është një vajzë e zakonshme londineze, por një udhëtare në kohë, që Rojat – një urdhër i fshehtë me seli në labirintin e rrugëve përreth Temple Church – e dërgojnë në epokat e shkuara për të marrë një pikë gjaku nga dymbëdhjetë të përzgjedhurit dhe për të plotësuar kronografin, një mision prej të cilit varet fati i njerëzimit. Gjatë kohës që kërkon nëpër shekuj të tjerë udhëtarë të kohës, ajo përpiqet të kuptojë gjithë misteret dhe profecitë që qarkullojnë për Rrethin. Në gjendjen ku është, e shqetëson thuajse çdo gjë: fakti që e fluturojnë para e mbrapa nëpër shekuj, hamendja përzier me zili e kushërirës Sharlotë, mërzia e mësimeve të vallëzimit e të qëndrimit... Pak gjëra i pëlqejnë: xhindi i vogël fantazmë Ksemerius, të cilin vetëm Gueni mund ta shohë dhe, natyrisht, shoku i saj i udhëtimeve në kohë: Gideoni i pashëm, i cili është tej mase i parashikueshëm me të. Pa dyshim, Gueni e di se nga duhet të ruhet: nga konti i Sen Zhermenit, që mban në dorë fijet e gjithë ngjarjeve dhe që kërkon të plotësojë sa më shpejt kronografin, para se ta ndalojnë armiqtë. Po kush janë armiqtë e vërtetë? Pse Gueni nuk arrin t’i besojë atij? “Blu Safiri” është një roman aventurier dhe zbavitës, romantik dhe me humor, që ka rrëmbyer zemrat e të gjithë të rinjve në mbarë botën.

Kritika

“Trilogjia e gurëve të çmuar” është një aventurë jashtëzakonisht intriguese, e pasur me udhëtime të mistershme në kohë, me aksion që të lë pa frymë dhe romanca drithëruese.

TeenReads.com

Ky roman, njësoj si dhe vëllimi i parë, është shkruar me mjeshtëri të rrallë dhe ironi të këndshme, elemente këto që e shndërrojnë në një lexim të shpejtë dhe të parezistueshëm. Për lexuesit, Guendolina mbetet një prej heroinave më të shkathëta e më të zgjuara në qarkullim.

Atelier dei Libri

“Aventurë, humor dhe mister: të gjitha pritshmëritë plotësohen.”

Booklist, starred review

Autorja

Kerstin Gier (1966) është një autore gjermane e disa romaneve për të rritur dhe për lexues të rinj. Ajo është ndërkombëtarisht e njohur për trilogjinë e gurëve të çmuar, që fillon me “E kuqe rubini”. Vepra të tjera të rëndësishme përfshijnë “Männer und andere Katastrophen” (Burrat dhe katastrofa të tjera), i cili tashmë është ekranizuar. Librat e tjerë të saj kanë pasur sukses të madh sidomos në Gjermani. Romani “Das unmoralische Sonderangebot” (Akordi imoral) fitoi çmimin e romanit më të mirë të vitit në Gjermani. Kerstin Gier, punon tashmë me kohë të plotë si shkrimtare në profesion të lirë dhe jeton në një fshat pranë Bergisch Gladbach, në Gjermani, bashkë me të shoqin dhe djalin e saj.

Fragmente nga libri

1) Këtë herë nuk na shqetësoi as ndonjë udhëtim në kohë, dhe as ndonjë demon i pacipë. Gjatë kohës që këndohej Hallelujah, puthja vazhdoi të ishte shumë e butë dhe e kujdesshme, por pastaj Gideoni i futi të dyja duart te flokët e mi dhe më tërhoqi pas vetes. Kjo s’qe më një puthje e butë dhe reagimi ndaj saj më habiti edhe mua vetë. Papritur e ndjeva trupin tim shumë të lehtë dhe të butë dhe ia hodha vetë duart rreth qafës së Gideonit. Nuk e kam më idenë se si, por dikur në minutat në vazhdim, pa e ndalur puthjen, përfunduam në kanapenë e gjelbër, dhe aty vazhduam të putheshim, derisa Gideoni u çua papritur dhe pa orën.

2) Mua dhe Gideonin na kishin dërguar të bënim këtë udhëtim në kohë, me porosi që të njiheshim me zonjën Tilnei te kronografi (arsye që unë i kisha fiksuar si në tym, por s’i kisha kuptuar mirë, vetëm se e gjitha duhet të ishte shumë e rëndësishme; me sa dija, bëhej fjalë të paktën për të shpëtuar botën. Por para se ta realizonim këtë, hyn në lojë kushërira ime Lusi dhe Poli – për të cilët thuhej se ishin të ligjtë e kësaj historie.

3) Dashurinë nuk e ndalon asgjë; ajo s’pyet as për derë, as për dryn dhe kapërcen gjithçka. Ajo nuk ka fillim, i ka përplasur përjetësisht krahët e saj dhe do t’i përplasë ata deri në pafundësi.