Nga Enver Robelli

Kancelarja gjermane është dridhur për herë të tretë. Dhe kritikët e saj primitivë kanë lluar të festojnë fundin e saj. Në epokën e internetit edhe mediat e luajnë lojën e tyre të pamëshirshme. Po jetojmë në kohën kur dobësia nuk durohet, por shfrytëzohet për përçmim të tjetrit. Por momentet e dobësisë na tregojnë se nuk ekziston trupi post-heroik, siç mund të supozojnë turmat e internetit.

Për herë të tretë kancelarja gjermane Angela Merkel është dridhur. Për herë të parë gjatë pritjes së kryetarit të ri të Ukrainës, Volodimir Selenski, herën e dytë pranë presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier, herën e tretë krahas kryeministrit të Finlandës, Antti Rinne. Të enjten Merkel e priti kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen. Të dy gratë i dëgjuan himnet ulur në karrige. Kjo ishte një premierë.

Pyetjet nuk kanë të ndalur. Çfarë ka Merkel, pyesin mediat. Në llim u respektua deridiku jeta e saj private, e drejta për të mbrojtur personalitetin nga kureshtja e egër e opinionit. Merkel ka demantuar se ka probleme shëndetësore. Ajo ka thënë se është e vetëdijshme për rëndësinë e postit të saj, rrjedhimisht po të ishte situata serioze, ajo do të thoshte diçka.

Shpeshtësia e dridhjeve, së fundi këtë javë, ka bërë që spekulimet të marrin hov. Në livadhin e spekulimeve lulëzojnë diagnozat nga distanca. Në Twitter po shërndahet me shpejtësi hashtagu #Zitteranfall. Urrejtësit e kancelares po e shpërndajnë pandërprerë videon, ku Merkel shihet duke u dridhur. Pasojnë mallkimet: «Shpresoj se do të vdesë gjatë dridhjes së ardhshme». «E treta e vërteta – tash le të ngrodhin». «Nuk më dhimbset … vaftë në ferr!!!». Në moçalin e internetit nuk ka rregulla. Çdo idiot e thotë «mendimin» e vet. «Edhe sa, zonja kancelare?», pyet gazeta «Bild», një kampione e pamëshirshme e titujve brutalë. «Focus Online» e ka gjetur këtë shpjegim: vdekja e nënës në pranverë e paskësh tronditur Merkelin. Në epokën e internetit edhe mediat e luajnë lojën e tyre të pamëshirshme. Po jetojmë në kohën kur dobësia nuk durohet, por shfrytëzohet për përçmim të tjetrit.

Në opinionin shqiptar doza e brutalitetit është edhe më e lartë. Sharjet mes politikanëve janë të neveritshme. Sulmet personale po se po. Shpifjet përherë në rend të ditës. Jo pak gazetarë sillen vërdallë si pitbullë të rrjeteve të krimit të organizuar dhe kafshojnë sipas urdhrit dhe interesit të «punëdhënësit». Rezultati? Humbja e kredibilitetit të politikanëve dhe, për fat të keq, edhe të gazetarëve.

Bernhard Pörksen, profesor i mediave në Universitetin e Tübingenit, në një ese të botuar në «Die Zeit» shkruan se mediat e sotme janë strukturalisht indiskrete. Ndryshe ishte në kohën e Franklin D. Rooseveltit, kryetar i SHBA mes 1933-1945. Roosevelt ishte i lidhur për karrigen e invalidit, ai ishte i paralizuar, por shumica e amerikanëve nuk e ka ditur këtë në të gjallë të tij. Roosevelt dëshironte kështu dhe ai u kujdes për kontrollin e fotograve dhe imazheve. «Mediat revolucionarizojnë perceptimin tonë. Dhe kësisoj ndryshojnë botën tonë. Autoriteti dhe karizma, aura dhe imazhi janë në mënyrë elementare të ndërlidhura me mundësinë e kontrollit të suksesshëm të informacionit», shkruan Pörksen. Nuk është qëllimi që gjithçka të fshihet, por as që gjithçka të shpaloset pa pasur informacion të saktë se për çka bëhet fjalë. Dy orë pas ceremonisë përkujtimore për viktimat e 11 shtatorit, gjithë bota e mori vesh se Hillary Clintonit iu dridhën pak këmbët. Këto momente na tregojnë se nuk ekziston trupi post-heroik, siç mund të supozojnë turmat e internetit./Marrë nga dialogplus.ch/