Tendenca e xhaketave dhe palltove për vjeshtën dhe dimrin dëshmon edhe njëherë vëmendjen që dizajnerët u kushtojnë atyre në çdo sezon… Në periudhën kur i ftohti është prezent më shumë se kurrë e kur “shtresat” e veshjeve janë disa, të zgjedhësh një xhaketë që të përshtatet me veshjen e të të duket njëkohësisht chic dhe minimal është një sfidë për të gjitha vajzat…
Nga shfaqjet në Milano e deri tek ato në New York, koleksionet e reja të vjeshtës e të dimrit promovuan një modë të re; xhaketat e strukturuara, linjat arkitekturore, mëngët e fryra të viteve ’80 dhe bustet e ngushta… Materiali, gjithashtu, është i strukturuar, lëkura origjinale ose ekologjike dhe veshja e poshtme e leshtë apo stof.
Detajet ekstra, gjithashtu, zënë një vend të rëndësishëm tek xhaketat. Perçinat, teminat apo qëndisjet e zakonshme i bëjnë ato të duken me stil dhe e bëjnë me të thjeshtë kombinimin me aksesorë të tjerë…
Si përfundim, 3 janë stilet e xhaketave dhe palltove që do mbizotërojnë këtë vjeshtë dhe dimër:

Në të gjitha pasarelat e këtij sezoni, vetëm një ngjyrë mbizotëronte kudo, ajo është roza! Nga nuancat e ëmbla e të lehta e deri tek ato të forta e neon, roza është ngjyra që duhet ta keni patjetër… Chanel propozon xhaketën soft e më shkëlqim, njësoj si materiali i xhaketave të shiut, ndërkohë që Attico sjell xhaketën bomber me butona të mëdha. Rozë e fortë për pallton e gjatë nga Jacquemus dhe rozë e lehtë me dekolte te strukturuar nga MSGM… Ky trend është zbulimi i ri i ngjyrës rozë të cilën shkenca e ka “vulosur” si më të vjetren në botë dhe që vazhdimisht e kemi lidhur me gjininë femërore…

Nga uniformat e aviatorëve në gardërobën e ndjekëseve të modës… Të shkurtra dhe të ngushta ne bel, me mëngë të gjera që lejojnë maksimumin e lëvizjeve, xhaketa “bomber” është trendy, chic dhe njëkohesisht militare. E zezë totale në koleksionet e Versace, Dior dhe Giambattista Valli, një stil rock i përshtatur me linjat e buta të stilit aviator! Xhaketa “must have” është sigurisht e sugjeruar nga Prada, me një siluetë unike dhe elegante, ky stil nuk duhet humbur në sezonin e ardhshëm.

Pelerina është një nga veshjet më të vjetra dhe më tradicionale, por në vjeshtë dimrin e 2020 ajo vjen e propozuar në versionin couture! Materialet e çmuara, linjat minimale dhe ngjyrat neutrale janë ato që i shtojnë vlerë kësaj xhakete… Bezha e shoqëruar me detaje metalike nga Celine dhe pelerina ngjyrë kafe me pellush e sugjeruar nga Miu Miu janë domosdoshmërisht një trend që s’mund të kapërcehet pa u vënë re… Gjithashtu printet e kafshëve janë një tendencë edhe këtë vit, ndërkohë që Valentino shkon me një linje elegante në ngjyrë të verdhë intense.