"Skuadra e Digitalb po rikompozohet",- tha Shakohoxha në një intervistë të fundit për "Pushime on Top", pa iu larguar edhe "shitjes" (siç e quajti ai) të Ilda Bejlerit pas plot 11-vjetësh në Digitalb.

Pasi lajmi ziente nëpër portale, ishte vetë Ilda Beljeri që e pranoi në një intervistë për “Gazetën Shqiptare", se është larguar nga Digitalb dhe se sezonin e ri do të jetë në Top Channel:

Po, është e vërtetë që jam larguar, tashmë mund të konfirmoj se do të kthehem së shpejti në televizion, këtë herë në Top Channel, megjithatë do të doja t’jua lija surprizë. E di që tingëllon si klishe, por do të doja të ishte një surprizë e bukur për të gjithë publikun, ndaj do të presim dhe pak”,- tha Ilda, por duke sqaruar edhe lajmet që kanë qarkulluar për arsyen e largimit, me gjasë, një sherr mes saj dhe Shakohoxhës për shkak të protagonizmit të tepruar të gazetares:

Natyrisht që do isha protagoniste, kam 11 vjet në Digitalb. Besoj se protagoniste kam qenë në fushën time, në atë që di të bëj më mirë. Ndaj mendoj që shpërblimin e publikut e kam të merituar”.

Por sot, Shakohoxha nga "Pushime on Top", i ngacmuar nga Ori Nebijaj për arsyen e largimit të Ildës, tha:

"Ndoshta s'e përjetoi mirë lajmin që i dhashë unë. Unë jam "trajner" dhe kjo është periudha e verës. Ne, në verë, ribëjmë dhe rikompozojmë skuadrën. Në gjithë këto vite, kanë hyrë dhe kanë dalë nga kjo skuadër shumë personazhe të tjera dhe kanë bërë karrierën e tyre diku tjetër. Për femrat, është pak më e lirshme, sepse jo detyrimisht do ta bëjnë këtë karrierë në sport, mund të shkojnë të bëjnë edhe një program tjetër. Ilda u bë shumë vite, unë e kam marrë në fillim në televizion, bashkë me çunat e stafit dhe ne vendosëm që në këtë periudhë Ilda "të shitej", të punojë në një kanal tjetër. Ka bërë karrierë shumë të mirë te ne, do bëjë karrierë shumë të mirë edhe te një vend tjetër. Por e përjetoi pak si me emocion largimin nga Digitalbi, por ne kemi qenë që ia kemi dhënë mundësinë, dhe ajo e ka shfrytëzuar shumë mirë dhe ka punuar si profesioniste, dhe po ne jemi që do ta ndërrojmë. Kështu funksionon..."

Pa dhënë shumë detaje për të rejat nga lëvizje të tjera të Digitalb, Shakohoxha tha se skuadra do bëjë edhe një blerje të mirë për sezonin e ri.