Situata e fruthit në Shqipëri duket të jetë përmirësuar ndjeshëm krahasuar me fillimin e këtij viti ku u shënuan qindra fëmijë të prekur.

Por ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik shprehin shqetësim me uljen e mbulesës vaksinale, kryesisht në Tiranë, pasi shumë prindër refuzojnë vaksinimin e fëmijës, pa marrë në konsideratë riskun që merr përsipër nëse fëmija preket nga fruthi që në mos humbje jete, i shkakton verbëri apo shurdhëri.

“Kaq qytete që kemi, 0 raste. Është reduktuar numri në mënyrë drastike, por duhet rritur mbulesa vaksinale në Tiranë”,- thotë Silva Bino.

Për të rritur mbulesën vaksinale , autoritetet shëndetësore deklarojnë se do të jenë strikt me drejtuesit e shkollave, kopshteve dhe çerdheve, të cilët nuk duhet të pranojnë asnjë fëmijë nëse nuk kanë dorëzuar kartelën e vaksinave.

“Asnjë fëmijë nuk do të pranohet këtë vit nëse nuk bën të gjithë kalendarin e vaksinimit, pasi jo vetëm mbron veten, por edhe fëmijët të cilët, për arsye shëndetësore, nuk mund ta bëjnë vaksinën”,- thotë Bino.

Bino shpjegon se ky proces do të monitorohet në mënyrë rigoroze dhe drejtuesit që shkelin ligjin, do të ndëshkohen me gjobë. Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive u tërheq vëmendjen edhe institucioneve private, të cilat, sipas saj, një vit më parë nuk e kanë respektuar këtë ligj.

Në fillim të këtij viti, fruthi shkaktoi disa viktima, foshnje dhe të rritur, të cilët ishin të pavaksinuar dhe u infektuan nga virusi vdekjeprurës./tch/