E mërkura do të jetë dita e fundit e verës me temperatura përvëluese që kulmojnë deri në 37 gradë. Prej fundjavës e në vazhdim do të ketë një freskim të motit, si dhe prani të reshjeve në disa zona të vendit.
Këtë verë Shqipëria, por edhe rajoni e më gjerë u përballën me ndryshime ekstreme të motit nga temperaturat shumë të larta e deri tek stuhitë e forta që shkaktuan viktima në Greqi e Itali.
Sipas meterologëve, këto fenomene janë sinjale për një vjeshtë të pazakontë, më të lagësht dhe me rrebeshe të forta, parashikim i bërë ky edhe nga shërbimi meteorologjik “Accu Wether”.
“Nuk përjashtohen mundësitë e fenomeneve ekstreme që sjellin reshje intensive dhe përmbytje në disa zona, në shtator dhe në vazhdim. Duke qenë se kemi përjetuar verë të nxehtë pritet që të kemi shira intensive” - thonë meteorologët.
Meterologët thonë se i gjithi viti do të mbyllet me vlera më të larta të temperaturave sesa mesatarja e viteve të kaluara.