Prej kohësh ajo është kthyer në kryefjalën e medias rozë në vend! Lidhja e saj e dashurisë me regjisorin e "Dua të të bëj të lumtur", Eduart Grishaj që tashmë është bërë publike dhe çifti nuk rezervohet aspak në komente të hapura në rrjetet sociale është vetëm një nga ngjarjet e rëndësishme në aspektin sentimental të jetës së moderatores Arbana Osmani.
Përpos kësaj, ajo i surprizoi të gjithë vetëm pak ditë më parë me lajmin për librin e saj të dytë që pritet të botohet shumë shpejt. Për të gjithë dashamirësit e kulinarisë dhe sidomos recetave të shpejta, e të shijshme, Arbana ka gati librin me titull "Receta për 5 minuta" që me siguri do të jetë një gjetje efikase për të gjitha amvisat e sotme, që kohën më të madhe e shpenzojnë larg shtëpisë dhe familjes në angazhime pune e private.
Por, nuk është fjala as për këtë risi! Arbana Osmani duket se ka bërë një super investim së fundmi, duke i krijuar vetes dhe djalit të saj një komoditet absolut brenda një hapësire moderne dhe luksoze. Prezantuesja e njohur ka blerë një shtëpi të re dhe detajet e para tashmë kanë dalë në publik.
E para ishte shoqja e saj e ngushtë, Xhemi Shehu që përmes një fotoje të vetme të postuar në Instastory zbuloi mëngjesin ideal në shtëpinë e mikeshës së saj Arbanës, teksa gjerbte një kafe e ulur në një nga hapësirat e shtëpisë së madhe që ka blerë moderatorja. Me nuancat e tokës, me fasada të mëdha xhami, e rrethuar nga gjelbërimi dhe me siguri e pozicionuar në një nga zonat strategjike të periferisë së kryeqytetit, Arbana është duke jetuar prej ditësh në shtëpinë e saj të re.
Është gazeta "Blic" që ka zbuluar një tjetër detaj nga brenda hapësirës! Gardërobën gjigante të moderatores me veshje të shumta, të sistemuara bukur, një kënd që me siguri çdo femër do e kishte zili.
Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm t'i urojmë Arbanës që ta gëzojë shtëpinë e re!