Në një intervistë ekskluzive për Tv Klan, Kivanç Tatlitug, një prej aktorëve më të famshëm në Turqi dhe të dashur në Shqipëri, shpjegon rolin e tij në serialin “Ironia e Fatit”, i cili nisi transmetimin premierë mbrëmjen e së dielës në Tv Klan.

Në intervistën e tij, 35-vjeçari shpjegon edhe ndryshimet mes roleve të shumta, me të cilat është shfaqur para publikut, pse u detyrua të braktiste sportin dhe si iu fut rrugës së kinematografisë.

Tatlitug shprehet i bindur se “Ironia e Fatit”, tepër e pëlqyer në Turqi, do vlerësohet shumë edhe në vendet e tjera ku do të transmetohet, përfshirë Shqipërinë.

Si e priti publiku në Turqi këtë serial dhe pse mendoni se do të pëlqehet edhe në vendet e tjera?

“Ironia e fatit” është një serial mbërthyes “dramë” dhe “aksion”, të cilin audienca turke e ka pëlqyer së tepërmi. “Ironia e Fatit” është në thelb një histori universale, kështu që besoj se edhe në vendet e tjera shikuesit do ta vlerësojnë.

Dikush më ka thënë se dëshironit të bëheshit atlet dhe se keni qenë një lojtar profesionist basketbolli, por ju desh ta braktisnit pas një aksidenti. U zhgënjyet?

Sigurisht, fillimisht isha shumë i zhgënjyer. Megjithatë, jeta vazhdon dhe e dija që më duhej të gjeja diçka tjetër në të cilën të fokusohesha. Në kohë dëshpërimi, apo humbje motivimi, njeriu duhet të mësojë të zëvendësojë diçka me një tjetër në mënyrë që ta jetojë jetën në mënyrë të plotë. Pas këputjes në tendinin e Akilit dhe braktisjes së basketbollit, u zhvendosa në modeling dhe aktrim, e tani jam këtu. Megjithatë, më duhet të pranoj se do kisha dashur shumë të isha edhe një lojtar basketbolli.

Si ia nisët aktrimit?

Pasi u shpalla “Best Model”, u zhvendosa në Paris dhe jetova atje për pothuajse një vit, para se të vendosja të rikthehesha në Turqi. Në Paris modelova dhe me t’u kthyer në Turqi mu ofrua një prej roleve kryesore në serialin “Gymysh”. Së bashku me agjenten time Gaye Sokmen dhe me këshilltaren për marrëdhëniet me publikun, Zerrin Ersu, vlerësova ofertën dhe përfundimisht e pranova. Kështu filloi edhe karriera ime në aktrim.

Keni qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë projekti ndërkombëtar? Ndoshta e ndonjë projekti Hollywood-ian?

Ende nuk kam marrë pjesë në një projekt ndërkombëtar. Më është ofruar një rol në filmin “The water Diviner” nga Russell Crowe. Por në atë kohë unë po xhiroja “Kurt Seyit dhe Sura” në Shën Petersburg të Rusisë. Kështu që fatkeqësisht nuk munda ta pranoj.

Si është jeta juaj në Turqi, si ia dilni të ruani privatësinë?

Nuk bëj ndonjë përpjekje ekstra për ta mbajtur private jetën time. Preferoj të jetoj në natyrë dhe jo në qendër të qyteteve. Nuk më pëlqen trafiku dhe zhurma. Kjo është arsyeja pse preferoj të jetoj në periferi, në natyrë.

Po ashtu ju jeni Ambasador i UNICEF-it. Cilat janë kauzat që mbroni?

UNICEF është i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve dhe të gjithë botës. Kam qenë Ambasador i UNICEF që prej moshës 25-vjeçare. Të punosh për fëmijët është privilegj. Çdo fëmijë meriton një jetë më të mirë. i ftoj  të gjithë të jenë të ndjeshëm në çështjet e të drejtave të fëmijëve dhe të mbështesin iniciativat e UNICEF. /tvklan.al/