Gjatë një interviste me Piers Morgan, Cristiano Ronaldo ka bërë apel për të gjetur një ish-punonjëse të McDonald, e cila quhet Edna. E shkuara e Ronaldos nuk ka qenë e thjeshtë dhe kjo dihet. Para se të shkëlqente në fushën e blertë dhe të siguronte një pasuri të madhe falë futbollit, ai ka qenë një njeri i varfër, që ndonjëherë paratë nuk i dilnin as për të blerë bukë.

Gjatë intervistës Cristiano rrëfeu se kur ishte fëmijë, gjatë kohës që stërvitej në Lisbonë, kërkonte hamburger në një McDonald të ndodhur aty pranë.

“Ishim paksa të uritur. Kishim një McDonald pranë stadiumit, trokisnim në derë dhe i pyesnim nëse kishin ndonjë hamburger që u kishte ngelur. Atje ishte gjithmonë Edna dhe dy vajza të tjera. Nuk i gjeta më kurrë më vonë”, -është shprehur Ronaldo.

Futbollisti dëshiron shumë t’i gjejë vajzat dhe sidomos Edna-n, pasi dëshiron t’i shpërblejë për gjestin që ato kanë bërë atëherë kur ai kishte më shumë nevojë.

“Pyeta disa njerëz në Portugali, por e kanë mbyllur atë McDonald. Por nëse kjo intervistë do të më ndihmonte t’i gjeja, do të isha shumë i lumtur. Dëshiroj t’i ftoj në Turin ose në Lisbonë të darkojnë me mua, pasi kam edhe unë diçka për t’u dhënë”, -ka rrëfyer Ronaldo.

Pas kësaj interviste, Piers Morgan ka shkruar në Twitter: “Përditësim: Mund ta kemi gjetur Edna-n”.

Ne mezi presim të mësojmë më shumë si do të shkojë historia.