“Është e vështirë që një gjë kaq të bukur që të ndodh, që të lumturon pa masë dhe që do ta ndash me të gjithë botën nga lumturia, “detyrohesh” ta mbash të fshehtë për pak kohë, sepse asnjëherë nuk i dihet…”

Nuk është e para Bruna Lahe që e thotë, por edhe moderatorja e njohur e ekranit e kuptoi fare mirë këtë vetëm në momentin që e provoi vetë.

Megjithatë, tani është stabilizuar. Bruna është në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe po e shijon pritjen e ëmbël me çdo emocion, siklet apo edhe ndonjë neps fare të justifikueshëm për këtë kohë.

E ftuar pasditen e sotme në “Rudina” për të rrëfyer emocionet e pritjes së ëmbël, Bruna tha se ishte një shtatzëni e planifikuar dhe e pritur prej 2-vjetësh. Ajo dhe bashkëshorti i saj u lumturuan shumë kur mësuan se do të bëheshin prindër të një vajze. Siç tregoi Bruna, veten nuk e mendonte dot nënë të një djali. Të paktën jo për herën e parë…

Punën si moderatore në "Living" ka pak javë që e ka lënë, por ndërkohë vazhdon të shkruajë për portalin me të njëjtin emër. Ndihet më e qetë dhe më e çlodhur, ka më shumë kohë për veten dhe për beben që po rritet. Po fillimet, si të gjitha nënat, nuk i ka pasur edhe aq të thjeshta. Megjithatë, nuk ankohet shumë, kujton disa prej rasteve më të sikletshme që i është dashur të kalojë në punë dhe, për më tepër, në një kohë kur i duhej ta mbante edhe për pak kohë sekret lajmin e bukur.

Ishte pak e vështirë në fillim, unë e kam tensionin e ulët dhe ato javë kisha luhatje tensioni dhe gjendje të fikëti, megjithatë, asnjëri nga kolegët në punë nuk kuptoi që isha shtatzënë”, – rrëfen Bruna, e cila zbulon edhe një situatë paksa të sikletshme një ditë në montazh: “Më ka ndodhur një situatë kur isha në montazh. Kisha disa shenja paralajmëruese kur më kapi një gjendje të fikëti. Erdhën kolegët dhe mësova që kishim edhe një aparat tensioni në punë. Më matën tensionin, e panë që e kisha të ulët dhe u vunë të gjithë në shërbimin tim, nisën edhe me këshillat… Nuk ua thashë akoma, por u justifikova me “nuk kam ngrënë”. Në terren nuk kam pasur asgjë të tillë, edhe pse frikën më të madhe kisha se mos më kapte ndonjë gjendje e tillë ndërsa isha në makinë…”

Po çfarë ka ndryshuar te Bruna gjatë këtyre muajve?

Siç rrëfen moderatorja, dieta e saj është bërë më e shëndetshme. Në fillim të shtatzënisë, pothuaj për tre muaj, hante vetëm brumëra, pothuajse gjithçka vetëm me përmbajtje brumi: “Tre muajt e parë ishin vetëm brumërat, haja pa fund, kisha vazhdimisht uri. Kolegët më thoshin se këtë sezon do e mbyllësh me 20 kg më shumë….”

Por më vonë, dieta ndryshoi: “Ka ndryshuar mëngjesi, nuk dal nga shtëpia pa ngrënë mëngjes të mirë. Edhe për shkak të punës, më ndodhte që mëngjesin ta haja jashtë më shumë, ndërsa tani jo. Nuk dal nga shtëpia pa ngrënë mëngjes të mirë.”

Më tej, Bruna rrëfen se në lidhje me dietën, i është dashur të bëjë pak sakrificë. Sallatat, por edhe ushqimet e tjera, ka dashur gjithmonë që t’i gatuajë vetë, por nuk ka mungur: “Nëse kam një merak për këtë shtatzëni ka të bëjë me faktin që nuk kam mundur t’i përgatit në shtëpi të tria vaktet, e kam pasur të vështirë ta bëja vetë.”

Ende pa hyrë në muajin e gjashtë, Bruna ka shtuar 9.5 kg, por nuk e ka aspak problem këtë pjesë. Deri në dhjetor, edhe disa kilogramë të tjerë do të jenë plotësisht të justifikueshëm, por pasi të vijë në jetë princesha, asgjë para saj nuk ka më rëndësi apo jo?

 

Lexo gjithashtu: A duhet të hash peshk ton gjatë shtatzënisë? Kjo është përgjigjja surprizë