Nesër të gjitha shkollat në Tiranë, Durrës dhe Elbasan do të jenë pushim. Lajmin e ka bërë të ditur, ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në një konferencë për mediat, ku theksoi se ky vendim ka ardhur si pasojë e gjendjes jo të mirë psikologjike të disa fëmijëve dhe prindërve pas tërmetit.

"Duke e marrë këtë parasysh, si dhe duke dëgjuar me shumë respekt sugjerimet e psiokologëve të ndryshëm që na kanë kontaktuar dje dhe sot, kemi vendosur që: Dita e nesërme për të gjithë nxënësit e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, TË JETË DITË PUSHIMI! Ditë pushimi të jetë njëkohësisht edhe për prindërit e nxënësve të shkollave 9-vjecare, të cilët punojnë në administratë shtetërore. Fatmirësisht, situata ne terren paraqitet drejt normalizimit, por që familjet e afektuara të tejkalojnë ankthin e djeshëm, u pa e arsyeshme që nxënësit e zonave të lartpërmendura bashkë me prindërit e tyre që punojnë në administratë shtetërore, ta kalojnë ditën e nesërme të lirë e të qëndrojnë me njëri-tjetrin",-u shpreh Shahini.

Ministrja foli gjithashtu për dëmet në shkolla pas tërmetit 5.8 ballë që goditi vendin tonë të shtunën, më 21 shtator.

"Për fatin tonë të mirë, janë vetëm dy objekte shkollore që kanë pësuar dëmtime në masën që të mos jetë e sigurt hapja e shkollës të hënën. Një nga këto shkolla është klasë vartëse e shkollës qendër "Berxullë", me numër të vogël nxënësish të cilëve do t'i sigurohet transporti për t’i dërguar në shkollën qendër. Ndërsa shkolla tjetër, është prapë shkollë vartëse në Tiranë, por do të bëjmë njoftimin për këtë shkollë pasi të marrim konfirmimin final nga Bashkia Tiranë për gjendjen e saj. 98 shkolla të tjera kanë pësuar dëmtime si plasaritje fasadash, në muret e brendshme të shkollave apo ato të jashtme – pjesa kryesore e të cilave janë punuar dhe pastruar gjatë ditës së sotme nga ekipet e bashkisë.  Pra, dua t'ju siguroj, se insfrastruktura shkollore është gati për të vazhduar normalisht mësimin qysh nesër",- përfundoi Shahini.