Mund të dimë pothuajse çdo gjë për familjen e Luana Vjollcës, por moderatorja rrallë flet për babain e saj. Mund të ketë rastisur që të keni parë: motrat, mbesat dhe mamanë e saj. Ato janë shumë të bashkuara me njëra-tjetrën. Ku është Luana është edhe Marina, së bashku me motrat e tjera dhe mbesat. Pra, ato janë 8 dhe pothuajse janë gjithmonë bashkë. Jeta e tyre, siç e të gjithëve mendoj, nuk ka qenë shumë e lehtë. Motrat Vjollca janë rritur pa praninë e babait, duke qenë se ai është ndarë nga jeta kur ato kanë qenë shumë të vogla. Ato kanë dhënë intervista të shumta, por nuk kanë preferuar ta prekin këtë temë, pasi me siguri është e dhimbshme për to. Gjithsesi, në një intervistë për “Global Woman”, Luana është pyetur për humbjen e babait të saj.
“Ju keni humbur babain kur ishit shumë e vogël dhe nëna juaj ju ka rritur dhe është kujdesur për mirëqenien tuaj. Cila është marrëdhënia që keni me të”,-ka qenë pyetja në intervistë.
“Të flas për mamin është praktikisht gjëja më frymëzuese dhe më e vështirë në të njëjtën kohë. Kjo është një temë që më pëlqen ta trajtoj dhe gjithmonë kam qenë fanatike, por duke qenë se Global Woman është e përqëndruar tek gratë, nuk ka moment më të mirë për të promovuar fuqinë femërore dhe sa e mrekullueshme është ajo për të përballur të gjitha sfidat në jetë. Unë kam qenë një foshnje, 11 muajshe kur babai im ndërroi jetë. Unë jam rritur mrekullisht mirë, duke mos na munguar asgjë, pafundësisht të lumtura dhe me këmbë në tokë. E gjitha kjo falë një heroine, e cila diti si ta menaxhonte situatën dhe kishte forcën të mos hiqte dorë. Kur mendoj për jetën e mamit dhe vështirësitë për të na rritur e vetme 4 vajza, them se gjithçka që bëjmë sot është kaq e vogël në krahasim me punën e saj. Është një krahasim i thjeshtë. Definitivisht mami është frymëzimi më i madh i jetës time, forca më e madhe dhe modeli më i mirë i jetës”,-është shprehur Luana.
Gra si mamaja e Luanës ka shumë dhe duhet vërtet një falënderim i madh për to, që sado vështirësi kanë pasur në jetë nuk kanë hequr dorë nga fëmijët e tyre.