Ato kanë diferencë moshe 7 vite. Si të gjitha motrat, kanë momente paqeje mes tyre, por edhe zënka. Të lidhura shumë me njëra-tjetrën, sidomos pas ndarjes nga jeta të nënës së tyre, Anita dhe Lola Muçaj e kanë forcuar akoma edhe më shumë raportin e tyre. Fati dhe jeta e deshi që ato përveç se motra, të bëheshin edhe kunata. Anita është e martuar me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, ndërsa Lola është e martuar me Daut Haradinajn, deputetin e AAK-së.

Pra, dy motrat Muçaj janë martuar në familjen Haradinaj. Prej shumë vitesh spikere lajmesh, Anita ka treguar tek “Rudina” se si është raporti i saj me Lolën dhe kur ato sillen si kunata.

“Mirë është, me raste jemi kunata. Ne gjatë darkës jemi motra, ndërkohë gjatë ditës, kur duhet të punojmë, të jemi nëna, atëherë bëhemi kunata”,-ka thënë me shaka Anita.

Bashkëshortja e Ramush Haradinaj, si motra më e madhe është detyruar gjithmonë të bëjë rolin e nënës dhe t’i mbledhë motrat dhe vëllaun. Ajo ka rrëfyer gjithashtu edhe momentin e trishtë kur nëna e tyre është ndarë nga jeta.

“Deri në atë moment, ne nuk kemi pasur gjëra të vështira në familje. Nuk kemi humbur njeri. Mungesa e mamit na ka bërë që të lidhemi akoma edhe me shumë. Kur nuk ka një zonjë shtëpie, pjesëtarët e tjerë të familjes sikur mbeten pa adresë. Unë jam munduar që të jem një adresë për motrat dhe vëllaun tim”,-është shprehur e prekur Anita.

Gjithsesi, vështirësitë duket se i kanë bërë më të forta motrat Muçaj. Madje Lola tregon edhe momentin e parë që e ka takuar Dautin dhe nuk ka qenë një takim aspak i zakonshëm, por në qelinë e një burgu.

“Dautin e kam njohur pas luftës. Unë isha në shkollë muzike. Isha 15 vjeçe dhe e kam parë në një poster në rrugë. Kisha një ndjesi të veçantë për të. Ishte pamja e tij, më tërhoqi. Por më pas në burg e kam takuar për herë të parë. Anita më mori me vete për ta takuar në burg, duke qenë se ajo ishte shtatzënë, shkova thjesht ta shoqëroja. Ai më kishte parë edhe në disa foto familjare dhe në atë takim më bëri dy-tre pyetje. A shkon në shkollë? (për shembull). Më pas ai kishte marrë numërin tim të telefonit dhe kemi folur për një vit gjatë kohës që ai ishte në burg. Shkova dhe e takova në burg dhe i premtuam diçka njëri-tjetrit: që do të prisnin lirimin e tij për të qenë bashkë. Edhe një vit pasi u lirua qëndruam bashkë dhe më pas vendosëm të martoheshim”,-ka rrëfyer Lola.

Ndërkohë, Anita e ka rrëfyer me mijëra herë njohjen e saj me Rambon, pasi prej 16 vitesh e tregon në çdo intervistë, me po të njëjtin entuziasëm.