Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i vendit Edi Rama dhe ministri i deleguar për Punët e Jashtme Gent Cakaj, paralajmëruan një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp me gazetarët pas "JO"-së së Këshillit të Europës për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe mes çështjeve të diskutuara në konferencë, ajo e Alvinit 11-vjeçar që është zhdukur në kampet siriane pasi u rrëmbye përpara pesë vitesh nga e ëma, tashmë ka marrë përmsa ndërkombëtare. Emisioni investigativ "Ie ene" bëri të mundur gjetjen e vogëlushit, por bashkimi i tij me atin nuk është i mundur për shkak se fëmija nuk disponon dokumenta italiane. Kryeministri Rama tha dje gjatë konferencës së është në bisedime të vazhdueshme me të atin e Alvinit, por kthimi i tij në Itali është një çështje komplet tjetër.
Ai dha këtë shpjegim: "Pas 48 orë pa gjumë jemi këtu në përfundim të gjithë kësaj odiseje për të ndarë opinionin tonë lidhur me një shqetësim që e kam marrë prej një numri të konsiderueshëm njerëzish në Itali, mbi rastin e një emisioni në Rai-t, kushtuar një të mituri shqiptar në një kamp në Siri. Për fat të keq, ai emision drithërues sipas gjithë përshtypjeve ka lënë të kuptohet se çështja e djalit të mitur është një çështje vullneti i ambasadës tonë në Turqi apo e ambasadorit. E vërteta është se prej disa kohësh unë kam nxjerrë një urdhër, material i klasifikuar, lidhur me personat dhe familjet që gjenden në atë kamp. Ia kam sqaruar edhe babait, kjo nuk varet nga ne. S’është një çështje e strukturave tona diplomatike, pasi nuk bëhet fjalë për kampe refugjatësh të zakonshëm. Gazetarët mund të hyjnë në këto kampe, sikundër shumë kolegë të kanaleve të huaja mund të hyjnë në këto kampe. Është komplet diçka tjetër, për të bërë një operacion tërheqjeje për personat që ndodhen në atë situatë. Me gjithë keqardhjen, dua të ndaj me të gjithë se e vërteta është kjo. Situata tani është edhe më e komplikuar, sepse në atë territor ka përplasje luftarake.
Do vijojmë të bëjmë punën që kemi bërë, edhe thirrjen që bëri presidenti amerikan ua bëri vendeve europiane. Asnjë vend deri më sot, përfshirë edhe Italinë fqinje ku është transmetuar ky emision dramatik s’ka tërhequr njerëzit sepse është operacion i komplikuar. Fokusi ynë ka qenë që në fillim, tek gratë dhe të miturit, dhe në bashkëpunim me partnerët, SHBA dhe po ashtu me autoritetet turke, kemi arritur të grumbullojmë jo pak informacion. Kemi kontakte dhe ka një plan për nxjerrjen e tyre nga kampet dhe është përgatitur infrastruktura e nevojshme për transportimin e tyre dhe një plan masash për trajtimin e tyre këtu në Shqipëri. Është zonë pa autoritete, ndaj edhe kontaktet janë të ndërmjetme dhe transferimi i tyre me struktura të specializuara është hapi i parë për të bërë transferimin përfundimtar. Ky shpjegim është më i mjaftueshëm se informacioni i dhënë apo i nënkuptuar, se unë se kam parë emisionin sikur kjo është një çështje vullneti dhe vënie në veprim nga ana e ambasadës nuk është i vërtetë", u shpreh kryeministri i vendit.