Banka OTP Albania mikëpriti sot në 24 Tetor, nëpërmjet një vizite të veçantë dhe domethënëse Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Z. Péter Szijjártó. Vizita e tij në degën e sapo inauguruar një ditë më parë në zonën e Bllokut, krijoi një atmosferë mjaft miqësore dhe të mbushur me mesazhe optimiste.

Pas prezantimit të mjedisit të degës, shërbimeve që ofrohen, etj, Z. Bledar Shella e prezantoi Z. Szijjártó dhe me ecurinë e bankës, aktivitetin e saj që nga bashkimi me Grupin OTP dhe strategjinë e grupit për tregun shqiptar për vitet në vijim. Në deklaratën e tij gjatë pronocimit për mediat ai u shpreh se:” Është kënaqësi e veçantë që sot kemi në degën tonë më të re të OTP Albania, Ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë të Hungarisë, i cili është edhe vendi i origjinës së bankës tonë. Fakti që OTP Bank është prezente në Shqipëri është shumë shpresëdhënëse për marrëdhëniet midis dy vendeve. Shpresojmë që OTP Grup, i cili është një lider në Evropën Qendrore dhe Juglindore në 12 shtete dhe në secilin prej këtyre vendeve është banka kryesore. Me ardhjen në Shqipëri ka ambicie të mëdha, por këto ambicie përveçse në sektorin bankar do të shoqërohen edhe me ardhjen e shumë investitorëve hungarezë. Patjetër që banka jonë do të jetë një urë lidhëse me Hungarisë dhe do të mundësojë që këto biznese të gjejnë një terren sa më të përshtatshëm për investimet e tyre në Shqipëri.”

Ndërkohë në deklaratën e tij për mediat Z. Péter Szijjártó shprehu vlerësimin e tij për Bankën OTP dhe ndau besimet e tij për ndikim pozitiv të këtij grupi kudo ku ai gjendet dhe investon.

Më tej ai shtoi:” Ne jemi shumë krenarë që OTP Bank ëshë prezente edhe në Shqipëri. OTP Bank nuk është vetëm banka kryesore në Hungary por është gjithashtu edhe një prej kompanive kryesore. Në të gjitha vendet ku OTP Bank ka shtuar prezencën e saj, ka patur një ndikim pozitiv në marrëdhëniet ekonomike të atij vendi. Kompanitë hungareze padyshim e shikojnë praninë e OTP Bank në një vend si një çështje besueshmërie. Nëse shohin që banka e tyre është e pranishme në një treg të caktuar, ata do të jenë më tepër entuziastë dhe më të inkurajuar për të investuar në këtë treg. Për Hungarinë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të krijohet një bashkëpunim më i mirë me vendet e Ballkanit Perëndimor. Theksi ynë është që të ndërtohet një bashkëpunim ekonomik më i mirë dhe më i zgjeruar me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Fakti që OTP Bank është banka e tretë ose e katërt në tregun financiar në Shqipëri, jep një impuls tepër pozitiv për kompanitë e tjera hungareze për të ardhur dhe për të investuar në këtë vend. Kështu, ne presim një rritje të numrit të kompanive hungareze që do të investojnë në tregun shqiptar. Njëkohësisht presim zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve tona duke qenë se OTP Bank po e zgjeron prezencën e saj në Shqipëri dhe për të cilën natyrisht ajo gëzon mbështetjen e plotë edhe të qeverisë Hungareze.

Pronocimi i Ministrit dhe pritshmeritë e komunikuara prej tij, shkojnë krejtësisht në linjë me komunikimet e vazhdueshme të realizuara nga Banka OTP Albania, në të cilat është shprehur qartë dhe fortë misioni i bankës për të përkrahur bizneset dhe projektet e tyre, dhe ofertën e grupit për bashkëpunim rajonal në kuader të sinergjisë që ky grup po krijon në çdo investim te tij.