Ndarjet janë të vështira. Të duhet kohë për t’i kaluar. Ose nuk i kalon kurrë plotësisht. Kujtimet janë me ty ngado që të vesh. Dhe jo gjithmonë për keq. Megjithatë ai të vjen në mendje, të kujtohet bashkë me një datë, me një ngjarje dhe të ngelet të pranosh vetëm që duhet t’u shkosh në fund mendimeve pa i ndarë me të. Ju nuk flisni më. Jeni ndarë dhe keni nisur marrëdhënie të reja, punë dhe jetë të reja. Keni menduar që do ishte e kotë të pretendonit të ruanit një farë marrëdhënie sepse më shumë do lëndoheshit. Nuk beson që mund të jesh mike me dikë që e ke dashur më parë, por ja që janë ca pyetje që të rrinë në mendje që aq shumë do doje t’ia thoshe atij.

Të ka marrë malli për mua?

Ka kaluar ca kohë që kur kemi folur për herë të fundit. A më mendon kur nuk gjen dy çorape njëlloj? A të kujtohem kur sheh ndeshjet? Të kaloj në mendje kur heq flokët e asaj vajzës tjetër nga rrobat? Po, mua ende më bien shumë. Të kujtohem kur ndesh seritë e “House” që unë i dija përmendësh?

Kur e kuptove që nuk e doje më “ne”?

E di që në fund ne grindeshim gjithë kohën. Nuk më vjen në mendje asnjë natë që të shkonim në shtrat pa u zemëruar. Edhe unë doja të dilja nga kjo po aq sa y, por ne kishim investuar aq shumë te kjo histori, sa nuk mund të largohesha e ta lija pas. Cila ishte pika e thyerjes për ty? Sa do doja ta dija.

Isha një e dashur e keqe?

Duhen dy veta për tango dhe jam e sigurt që kam po aq rol në ndarjen tonë sa dhe ti. Dhe pse mendoj që bëra maksimumin që ta shpëtoja çiftin tonë. Mos të kam marrë shumë shpesh në telefon? Prisja shumë nga ty, kisha nevojë për shumë? Do doja të më thoje nëse kam bërë diçka gabim. Nëse po, më vjen keq dhe shpresoj mos ta përsëris në të ardhmen.

Çfarë këshille do më japësh për historinë time të re?

Mos po e hedh në erë para se t’i jap një shans kësaj historie? Shqetësohem shumë për gjithçka? Ti gjithmonë kishe një mendim mbi këdo dhe mbi gjithçka. Nuk mundoheshe fare për të më thënë që e kisha gabim, tani do doja të më thoshe nëse e kisha unë fajin për këtë zënkë. Do doja të më thoshe në qoftë se gjërat që unë i bëj çështje ia vlen t’i bëjë aq të mëdha.

Mendon që ai është i mirë për mua?

Kemi qenë për një kohë aq të gjatë bashkë sa të më njohësh deri në nivel molekular. Ti e di me sa sheqer e pi kafen, në cilën anë të krevatit flija dhe nga çfarë kisha frikë. Ti i njeh këngët e mia të preferuara dhe që nuk i ha bajamet. Vras mendjen çfarë do të më thoshe për djalin me të cilin jam tani. Nëse do silleshim të dy si dy të rritur objektivë, a mendon që ai është i duhuri për mua?

Ti e di si është të dalësh me mua dhe çfarë kërkoj unë në jetë. Ti madje e kuptove që nuk mund të ishe ai që doja, por a mundet ai?  Ndoshta dhe ti ke pyetje që do doje të bëje.  Ndoshta këto pyetje që bëra nuk do marrin kurrë përgjigje. Apo ta marr në dorë telefonin? Më mirë jo!