Aq shumë sa e kam adhuruar nëntorin, aq edhe jam e lumtur që u largua dhe uroj që bashkë me të, të jetë larguar edhe makthi që na ka lënë pas në ditët e tij të fundit
Çdo dhjetor fëmijët anembanë globit ulen për t’i shkruar në një copë letër dëshirat e tyre për vitin që vjen. Letra mendohet që shkon pa nevojën e ndonjë vule të veçantë drejt Polit të Veriut, aty ku mjafton të shkruash për Babagjyshin dhe postierët e gjejnë vetë plakushin me mjekër të bardhë, i cili me të marrë letrat, fillon punën për të përmbushur dëshirat. Thesi i tij mbushet shpejt e shpejt me gjithë objektet që fëmijët e mbarë kanë kërkuar për dhuratë dhe pasi të jetë mbushur, Babagjyshi i hipën slitës së drerëve dhe nis udhëtimin nëpër botë duke hedhur dhuratat nga oxhakët. Megjithatë, edhe kur nuk ka oxhakë, ai e gjen vendin për t’i hedhur këto pako që përfundojnë poshtë pemës së Vitit të Ri. Vetëm që, kohët e fundit, dëshirat nuk mund të plotësohen vetëm nëpërmjet objekteve të thesit. Shumë prej tyre nuk janë të prekshme, apo të mbështjellshme me letër…
Janë dëshira për t’u zgjuar çdo ditë pranë të dashurve, për të qenë gjithmonë të lumtur, për të parë fëmijë të qeshur, për të zgjuar shpresën dhe për t’u kapur fort pas jetës…
Këtë dua edhe unë sonte….
I dashur Babagjysh,
Nëse je ai që kam njohur që nga fëmijëria, ai për të cilin më kanë folur prindërit aq shumë, ai që sjell me vete një thes me lodra të bukura, ai që plotëson dëshirat e të gjithë fëmijëve, më lër edhe mua sonte ta harroj moshën dhe 30 e ca vitet e mia… Vetëm pak, sa të shkruaj këtë letër, dua të jem fëmijë, që të të kërkoj të më plotësosh një dëshirë të vetme.
Kaq dua sonte, më bën dot fëmijë?
Nuk e mbaj mend sa e vogël kam qenë kur më kanë folur për ty, por mbaj mend që të kam parë gjithandej nëpër filma, duke zbritur nga lart dhe duke ndarë dhurata nga thesi yt i dëshirave. Ti e di, këto ditë, shqiptarët kanë kaluar makthe, pas ditës së tmerrshme që mori plot 51 jetë njerëzish, makthe që nuk paskan fund dhe arsyen nuk po e kuptoj dot. A mundesh të ma plotësosh këtë dëshirë të parë? T’ua largosh njerëzve këtë ndjesi të trishtë që i ka kapluar? A mundesh të shëtitësh me slitën tënde, mundësisht që sot, nëpër çadra, të gjesh fëmijët dhe t’u kthesh buzëqeshjet? A mundesh që t’u japësh shpresë prindërve të tyre, të besojnë se jeta, edhe kur ka pabesi natyrore, sërish të sjell një dritë tek e cila duhet të besosh për të shkuar përpara?
Më fal Babagjysh, nëse nuk e mbaj mend kur kam besuar për herë të fundit tek ti, ose më mirë, më fal që nuk kam besuar tek ty gjatë gjithë viteve të tjera të mia të rritjes. E di, të kam quajtur një gënjeshtër të madhe, me fal, por sot po kthehem pas dhe po të lutem për diçka që e dua më shumë….
Pas pak ditësh, shkolla do t’i mbledhë fëmijët sërish dhe unë dua që nxënësit e mi të më përshëndetin njëlloj me buzëqeshjet e tyre, le të më lodhin edhe më shumë me kërkesat e tyre, edhe me prapësitë, nuk dua t’ia di, dua vetëm të më kthesh tek ata, të shoh sërish buzëqeshjet. Të ndiej se në sytë e fëmijëve buron shpresë e ka dritë për të vazhduar përpara. Ka dëshirë për lodra, për mësime, për gjëra edhe më të bukura….
Të lutem Babagjysh, më fal shumë nëse nuk e mbaj mend kur besova tek ty për herë të fundit. Nuk e di sa vite kanë kaluar që atëherë, por më lejo sonte të të lutem edhe një herë.
Është 1 dhjetor, është ajo koha më e bukur e vitit (it's the most wonderful time of the year) dhe unë po të lutem Babagjysh, të më plotësosh vetëm një dëshirë….
Larg egos së natyrshme njerëzore, jashtë çdo dëshire tjetër të fëmijëve në botë. Nuk dua më sy të trishtë fëmijësh, por dua shpresë për të vazhduar jetën…
Kaq dua, a ma plotëson të lutem?