1 Dhjetori, qysh prej vitit 1988, njihet në të gjithë botën si dita kundër virusit vdekjeprurës, HIV/AIDS. Kjo ditë është përcaktuar si një ditë sensibilizimi dhe një ditë për të përkujtuar të gjithë njerëzit që kanë humbur jetën kjo sëmundje e pashërueshme. Në Ditën Botërore të HIV/AIDS-it, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë apel për zero infeksione të reja, zero diskriminim dhe zero vdekje nga virusi.

Në Shqipëri dy rastet e para me HIV u zbuluan në vitin 1992 dhe që prej atij viti, numri ka ardhur gjithmonë në rritje konstante. Megjithëse numri i përgjithshëm nuk përbën ndonjë shifër alarmante, sipas ekspertëve të fushës, realiteti është krejt ndryshe nga shifrat e deklaruara. Numri i personave të infektuar me virusin HIV apo që mund të jenë edhe në stadin e AIDS-it mendohet të jetë disa herë më i madh. Ecuria e numrit të personave të diagnostikuar me AIDS në 4 vitet e fundit është gati 50 për qind e rasteve të zbuluara.

Edhe pse është punuar shumë për të parandaluar dhe kontrolluar përhapjen e virusit, ende mbetet shumë për t’u bërë. Problem për vendin tonë mbetet transmetimi përmes gjakut. Pjesa derrmuese e rasteve gjatë këtyre viteve është mosha 25 deri 45 vjeÒ«, ndërsa 70 për qind janë burra dhe vetëm 30 për qind femra.