Nuk bëj pjesë në grupin e atyre njerëzve që i zënë besë bestytënive! Thjesht, në normalitetin e jetës së përditshme e kisha parashikuar që e marta e 26 nëntorit do të ishte një tjetër ditë e zakonshme si gjithë të tjerat! Por, Zoti dhe natyra na bëri një befasi, nga ato që nuk mund të parashikohen, por që fatkeqësisht goditi çdokënd në Shqipërinë tonë të vogël! Të rritur e fëmijë, të moshuar dhe të rinj, njerëz me integritet publik dhe fare të zakonshëm, çdonjeri! Sepse tërmeti nuk pyet! Nuk zgjedh! Nuk bën paralajmërime! Nuk jep sinjale! Godet atëherë kur ti nuk e pret! Njësoj si të të kenë punuar një rreng të çuditshëm, për të cilin të gjithë ishim të papërgatitur!

Mëngjesi i 26 nëntorit, ndaj të gdhire nuk ishte vetëm shkundje tërmeti, me pasoja shkatërrimtare në jetë njerëzish dhe në dëme materiale! Ishte më shumë se kaq! Unë do e shihja në një tjetër spektër, ndofta edhe më personal! Një shkundje ndërgjegjeje! Një shkundje zemrash që në turravrapin e jetës harrohen pas punës, pas parave, pas të mirave materiale, duke i munguar bindshëm fëmijëve, prindërve, personave më të dashur që ndërtojnë që në gjenezë "tharmin" e jetës sonë e që i japin asaj kuptim shumëdimensional.

Nuk mund të them, e as nuk dua të mendoj se unë jam tjetër njeri pas tërmetit fatal që preku zemrat dhe jetët tona mëngjesin e së martës që lamë pas, por unë dua ta "bërtas" fort se: Po, unë kam ndryshuar diçka tek vetja! E shoh jetën me të tjera filtra! Me më shumë ngjyra! Më shumë mendime pozitive! Më shumë gatishmëri për t'i marrë jetës dhe çdo minuti më të mirën. Sepse të gjithë e pamë në ato 30 sekonda tmerrin që tronditi mendjet dhe zemrat e gjithsecilit prej nesh. Jemi kaq të vegjël përballë fuqisë së universit dhe Zotit! Pabesive të natyrës dhe të gjithë të papriturave që ajo sjell vit pas viti. Kaosi i ndërtimeve të shumta, abuzimi me ndërtimet, cilësia e tyre, terreni, gjithçka njeriu i ka bërë tokës dhe ekosistemit, duket se po na kthehet sot mbrapsht me një faturë që po paguhet shtrenjtë! Me jetë njerëzish të humbura, me familje të pikëlluara që në trishtim do të ngrysin dimrin e ftohtë me acarin që me gjasë ka "ngrirë" sot shpirtrat dhe zemrat e tyre, për shkak të humbjes së njerëzve të dashur, për çatinë e shtëpisë së rrënuar dhe mundin e një jetë që u shemb në fraksion sekondash përpar syve! Me gjithë mobilizimin e strukturave qeveritare, individëve, bizneseve, shoqatave jofitimprurëse për të mëkëmbur në kohë rekord pasojat e tërmetit fatal të 26 nëntorit, dhimbja dhe trishtimi që ka lënë pas kjo goditje, ndoshta janë në listën e atyre efekteve të pakthyeshme që në jetët e njerëzve do të vazhdojnë të ndihen për një kohë të gjatë.

Ndoshta, ky artikull nuk është "doza" e nevojshme për të ndryshuar jetët apo mendësitë e gjithkujt që do e lexojë deri në fund, por me siguri është një qasje me dëshirë përmirësimi dhe nevoje emergjente për ta parë jetën ndryshe!

Unë e shoh me më shumë filtra me ngjyra gjithçka rrotull vetes, pas gjëmës që natyra na bëri mëngjesin e së martës, por mendoj se esenciale është që të kuptojmë se jo vetëm një tërmet me pasoja fatale në jetë njerëzish mund të na shkundë ndërgjegjen për të qenë nesër njerëz më të mirë! Më të dashur! Më solidar dhe të gatshëm për të kontribuar gjithë forcat dhe energjitë tona aty ku duhet, ku është nevoja, ku është pamundësia, ku është skamja, ku është sprova e Zotit dhe e natyrës! Kjo frymë duhet të kthehet në standard mënyre refleksioni të të menduarit dhe të vepruarit, për të qenë nesër njerëz më të mirë dhe më pozitiv!

Sepse e kuptuam në vetëm 30 sekonda! Jemi kaq të pafuqishëm për të kthyer atë që natyra e ka planifikuar për ne frymorët. Ajo që na takon neve të bëjmë si humanë është që të kthejmë fillimisht sytë nga vetja, për t'i vendosur zemrës dhe mendjes filtrat e dashurisë dhe pozitivitetit. Kjo po që na bën njerëz më të mirë!