Studentët që kanë humbur familjarët si pasojë e tërmetit në Durrës, Tiranë dhe Lezhë do të përfitojnë bursë në masën 15 mijë lekë në muaj. Vendimi është marrë nga qeveria dhe vjen në kuadër të paketave të ndihmës për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit.

Studentët që janë anëtarë të familjeve të prekura nga tërmeti në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë do të përfitojnë bursë në masën 15 mijë lekë në muaj.

Vendimi që tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare vjen në kuadër të paketave të ndihmës që qeveria ka miratuar për të dëmtuarit e tërmetit, siç janë strehimi i menjëhershëm apo pensionet të posaçme.

Në vendim thuhet që kjo bursë do të jepet për studentët që ndjekin arsimin e lartë në institucionet publike vetëm për vitin akademik 2019-2020 dhe që kanë humbur persona të afërm në tërmetin e nëntorit.

Në këtë rast ata do të përfitojnë 5 mijë lekë më tepër se të rinjtë e tjerë që ndjekin studimet e larta.

Do të jenë universitetet ato që do të identifikojnë studentët dhe do të dërgojnë listat për miratim në ministrinë përgjegjëse për arsimin.

Ndërkohë qeveria ka bërë të ditur se ka komunikuar me familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit për të diskutuar me ta hapat konkretë për strehimin e tyre dhe fillimin e procedurave për marrjen e pensioneve.

Burimi: Ora News