Një prej zonave të prekura nga tërmeti është edhe fshati Bubq. Disa shtëpi janë shpallur të pabanueshme dhe njerëzit janë strehuar në çadra ose hotele. Bebe Rexha vizitoi sot fshatin dhe vendosi të ndihmojë dy familje duke iu rindërtuar shtëpitë. Por i pari që u është gjendur afër banorëve të këtij fshati ka qenë Bes Kallaku. Aktori i humorit nuk mund ta braktiste fshatin në tij në një moment të tillë dhe së bashku me Xhensilën e ka vizituar shpesh gjatë këtyre ditëve.

Sot ai ka treguar për Tv Klan se në fshatin Bubq ka shumë shtëpi të pabanueshme dhe se ai dhe Xhensila kanë dhënë kontributin e tyre të parët.

“Unë nga sot do të hap një numër llogarie për fshatin Bubq, ku çdo e ardhur që do futet dhe do jetë pjesë e kësaj llogarie do të shpërndahet për banorët e fshatit. Dashtë Zotit na gjenden afër miq, shokë, dashamirës dhe ata që janë biznesmenë që janë jashtë. Me gjithë respektin dhe mundin që po bëhet, kam përshtypjen se është një numër i madh dhe derisa të vijë radha e Bubqit këta të shkretët që janë jashtë do vazhdojnë të jenë jashtë në qiell të hapur. Do përpiqem që t’i ndihmoj si bir i këtij vendi me aq sa kam mundësi. Të parët që do bëjmë donacionin kryesor jam unë me Xhensilën, që do bëjmë një donacion prej 5 milion lekësh të vjetra. Po ashtu, të gjitha fitimet e biletave nga filmi Falco që do jenë për të gjithë javën do futen atje”, -u shpreh Besi duke ftuar të gjithë të kontribuojnë me aq sa munden.

Madje, Besi është prekur teksa ka folur për një nga banorët e Bubqit, i cili përveç fatkeqësive të tjera në jetë po vuan edhe pasojat e tërmetit.