Solidarizimi i shprehur nga e gjithë bota në ndihmë të të prekurve nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit ka kaluar pritshmëritë. Veç strukturave të ndihmës dhe organeve zyrtare politike nga vendet e të gjithë botës, në adresë të familjeve të prekura nga tërmeti kanë shkuar edhe ndihma nga njerëz të thjeshtë, të cilët janë angazhuar individualisht.

Ndihmës që i është ofruar Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues i është bashkuar edhe bashkëshortja e Kryeministrit Rama, Linda Rama. Si një vullnetare me eksperiencë në menaxhimin e krizës humanitare gjatë luftës në Kosovë, Rama zgjodhi t’i shtohet grupit të vullnetarëve edhe në këtë rast tragjik për ne.

Zonja Rama është ofruar si vullnetare në asistimin e një grupi ekspertësh të huaj, kryesisht nga USAID-i, të cilët kanë eksperiencë në menaxhimin e krizave të krijuara nga fatkeqësitë natyrore. Kjo strukturë ka ndihmuar jo vetëm për hartimin e një formulari tip, të standardizuar me modele europiane, që po përdoret për evidentimin e të gjitha dëmeve në të tria qarqet; Tiranë, Durrës e Lezhë, por dhe me metodologjinë që po përdoret për matjet në strukturat e ndërtesave.

Rama është treguar e rezervuar për të folur për kontributin e saj në këtë moment delikat pas tërmetit, por shpjegon ndihmën që kanë dhënë ekspertët e huaj në këto ditë të pazakonta për Shqipërinë.