Adriana Matoshi, aktorja shqiptare nga Kosova ka rrëfyer më shumë për karrierën dhe për periudhën më të errët të jetës së saj në një intervistë për “Nin”. Ajo ka treguar se para 7 viteve, kur ishte shtatzënë me fëmijën e katërt, zbuloi se kishte tumor në kokë.

“Në vitin 2012 kam qenë shtatzënë me fëmijën e katërt. Gjithçka ishte shumë në rregull deri në një moment kur kisha marramendje dhe të vjella të shtuara. E kuptova që nuk ishte vetëm prej shtatzënisë, në kokën time kishte një tumor. Nuk i kam treguar askujt. M’u ofrua të luaj në filmin ‘Kthimi’, refuzova në fillim, por më pas mendova se ka për të qenë roli im i fundit. Pranova! Tri ditë kemi xhiruar. Kisha dhimbje të tmerrshme, sidomos natën e fundit. Mendova se atë natë do lindja.  Ishte një periudhë e rëndë, e vështirë, por që ka kaluar me sukses.

Në 27 janar 2012, kur unë kam lindur Pinean, më kanë telefonuar prej Amerikës duke më uruar për vajzën dhe duke më dhënë lajmin se edhe filmi ka fituar. Kam parë lajmet në TV dhe më kanë krahasuar me aktore të Hollywood-it. Kam qenë shumë e lumtur, por nuk e dija si do të shkonte gjithçka.

Kam dashur shumë të jetoj, edhe pse ka qenë e vështirë, sepse sapo kisha lindur. Për shkak të tumorit humba edhe shikimin, por me kalimin e kohës munda sërish të shikoj. Tri javë pasi linda vajzën, kam shkuar jam operuar në kokë. Ka qenë shumë e vështirë, si nga ana emocionale, edhe nga dhimbjet që kisha. Por më ka shërbyer shumë nga ana profesionale. Më kujtohen këto gjëra, kur duhet të hyj në ndonjë rol”, -është shprehur ajo.

Megjithatë, Matoshi gjeti forcën të vazhdonte para dhe duket se gjithë këto vështirësi e bënë më të fortë.

“Në një moment, i thashë vetes: A do të biesh në fund të pusit dhe mos të të dojë as fëmija yt, apo zgjedh të vazhdosh, me profesionin më të bukur në botë, të prish përpara ...sepse je e re dhe shëndoshë e mirë? A të kujtohet tumori? A të kujtohet që je rrëzuar prej kalit dhe ke qëndruar katër muaj pa lëvizur? Kam pasur shumë raste të vështira, por shyqyr Zotit jemi mirë dhe po vendos të jetoj. Më ka dhënë Zoti një superfuqi. I kisha të gjithë njerëzit e dashur mirë dhe kuptova që kisha shumë gjëra të mira që deri në atë moment nuk i kisha parë”, -rrëfeu ajo.

Adriana ka treguar gjithashtu, se mundohet të jetë një nënë e mirë dhe të gjejë kohën për katër fëmijët e saj, pavarësisht angazhimeve të shumta.