Si rrallëherë, në një intervistë për Elle, diva e muzikës, Beyonce, u rrëfye për jetën, karrierën dhe vështirësitë që ka hasur para se të bëhej nënë. Para se të vinte në jetë vajza e saj, Blue Ivy, këngëtarja ka përjetuar aborte, të cilat, sipas saj, e bënë të mësonte shumë.

“Suksesi duket ndryshe për mua tani. Fakti që kam abortuar më mësoi se duhet të isha ‘nëna’ e vetes sime para se të isha nëna e dikujt tjetër. Pastaj erdhi Blue dhe qëllimi i jetës sime u bë shumë më i thellë. Vdiqa dhe rilinda në marrëdhënien time dhe kërkesat ndaj vetes sime u bënë edhe më të forta. Të isha numri 1, nuk ishte më prioriteti im. Fitorja ime e vërtetë ishte të krijoja art dhe të lija një trashëgimi që do të jetojë shumë gjatë. Kjo është përmbushje”, -është shprehur ajo.

Bey ka shtuar se tani që është bërë nënë dhe që trupi i saj është transformuar, ajo sërish ndihet e sigurt në vetvete. Por cila është gjëja më e vështirë për të? Ashtu si çdo nënë në karrierë, edhe Beyonce e ka të vështirë t’i balancojë gjërat. Të shoqërojë vajzën e madhe në shkollë, apo binjakët Rumi dhe Sir në aktivitete të tjera, të gjejë kohën për t’iu përkushtuar bashkëshortit, të arrijë të jetë në kohë për të darkuar me familjen dhe nga ana tjetër të japë maksimumin në punë, është shumë stresuese për të.

Ah, po ashtu, Beyonce urren kur njerëzit online pyesin nëse ajo është shtatzënë. Siç thotë edhe vetë diva, lërini të qeta vezoret e saj!