Këngëtarja e grupit të famshëm, Roxette, Marie Fredriksson është ndarë nga jeta. Ajo ndërroi jetë ditën e djeshme, pas një beteje 17-vjeçare me kancerin. Këngëtarja suedeze arriti sukses global në vitet ’90 me hitet “Listen to your heart” dhe “It must have been love”, që asokohe pushtuan botën.

Në vitin 2002, Marie ra pa ndjenja në kuzhinën e saj dhe doktorët zbuluan se kishte tumor në tru. Ajo u kurua për 3 vite dhe foli për frikën dhe përjetimet e saj në këngën e titulluar “The Change”.

Në 2005-ën, ajo rrëfeu për një gazetë suedeze se tri vitet e kurimit kishin qenë shumë të vështira për të, por tanimë ishte e shëndetshme. Në vitin 2008, ajo surprizoi fansat e Roxette me një shfaqje surprizë duke iu bashkuar në skenë pjesëtarit tjetër të bandës, Gessle, në një koncert në Amsterdam. Më pas grupi i famshëm organizoi një tur rikthimi dhe biletat u shitën në kohë rekord në Europë.

Por, në vitin 2016, gjendja shëndetësore e Marie u përkeqësua sërish dhe doktorët e këshilluan të anulonte turet muzikore. Ajo luftoi fort për të mposhtur sëmundjen, por kësaj radhe nuk ia doli dhe u nda nga jeta dje, më 9 dhjetor, në moshën 61-vjeçare.

Lajmin e hidhur e ka konfirmuar miku i saj, Per Gessle, i cili u shpreh se gjërat s’do jenë më njësoj pa Marie-n.

“Ke qenë një mikeshë e mrekullueshme për 40 vite. Gjërat nuk do të jenë më kurrë njësoj”, -ka shkruar ai.