“Paqe në botë” mund të konsiderohet një shprehje e vjetër tashmë, e dalë mode. Miss-et e reja, jo vetëm që janë më praktike për dëshirat e tyre, por edhe guxojnë të dërgojnë mesazhe më të mëdha drejt moshatareve.
Kështu ndodhi me Miss Universe 2019, 26-vjeçarja Zozibini Tunzi, e cila u kurorëzua me kurorën e më të bukurës së Universit të dielën, në konkursin e këtij viti në Atlanta, Georgia.
"Tunzi punon si aktiviste dhe është e apasionuar sidomos pas luftës kundër dhunës gjinore. Bukuria natyrore është gjithashtu e rëndësishme për Tunzi-n, e cila beson se gratë duhet ta duan veten ashtu siç janë", shkruhet ndër të tjera në faqen e Miss Universe.
Zozibini Tunzi është një modele dhe fituese e konkursit të bukurisë “Miss Afrika e Jugut 2019”, në Afrikën e Jugut.
26-vjeçarja është vajza e tretë nga Afrika e Jugut që fiton këtë kurorë dhe femra e parë me ngjyrë që kur Leila Lopes u kurorëzua Miss Universe 2011.
Por mesazhi që dha 26-vjeçarja nga skena e Miss-it ishte një prej më të pëlqyerëve në historitë e spektakleve me natyra të tilla. E pyetur nga prezantuesi i konkursit se cila do ishte gjëja më e rëndësishme që do t’u këshillonte dhe do t’u mësonte vajzave të reja në kohët e sotme, ajo tha se i nxit të kenë më shumë hapësira: “Lidership! Unë mendoj se jemi qeniet më të forta në botë dhe nuk duhet të heqim dorë nga asnjë mundësi”.