Jemi mësuar ta shohim në “Wake Up” dhe “Pushime On Top”, por nga janari Ori Nebijajn do ta shohim edhe të premteve mbrëma. Asaj i është besuar moderimi i talent show-t “Top Talent”, i cili do të nisë transmetimin në fillim të vitit që vjen, ndërkohë që audicionet kanë filluar prej ditës së sotme. Ori do të prezantojë për herë të parë një format të tillë dhe jemi të sigurt që do t’ia dalë sërish me sukses.

Sipas Top Channel, ky sezon pritet të ketë shumë risi e surpriza. Do të ketë një gamë më të gjerë konkurrentësh, instrumentistësh, këngëtarësh, kërcimtarësh, interpretuesish në zhanre të ndryshme, prezantuesish dhe gazetarësh. Edicioni i tretë do të vijë i riformatuar në strukturë, prezantim si dhe në panelin e jurisë. Megjithatë, anëtarët e jurisë ende nuk janë zbuluar.

“Përfshirja e disa kategorive në këtë edicion është një risi, që është reflektuar në këtë audicion të parë, ku sot kemi parë të rinj që kanë ardhur për të provuar veten në muzikë, interpretim, kërcim, gazetari e sigurisht prezantim. Gjeografia është zgjeruar, kemi shumë pjesëmarrës nga Shqipëria e Kosova, teksa gjej rastin të ftojmë këdo që mendon se ka një talent t’u bashkohen audicioneve tona” –është shprehur Ori për Top Channel.