Në Pallatin e Kongreseve po bëhen përgatitjet e fundit për Festivalin e 58-të të Këngës që do të mbahet javën që vjen në datat 19, 20 dhe 22 dhjetor. Prej disa ditësh, këngët pjesëmarrëse janë publikuar në YouTube dhe publiku ka arritur të njihet me këngët, që duhet thënë se po dëgjohen pafund, kudo.

Nuk është diçka e pazakontë që evenimete të tilla, si Festivali i Këngës, të shoqërohen me polemika. Dhe sigurisht që as ky edicion nuk u ka shpëtuar akuzave e polemikave që lidheshin kryesisht me mënyrën e përzgjedhjes së këngëve. I ftuar në emisionin “Java” në Radio Televizionin Shqiptar, Maestro Zhani Ciko, i cili është pjesë e jurisë u është përgjigjur publikisht këtyre polemikave.

“Vendimet e jurisë janë të pakontestueshme, ky është pakti numër një. Ti shkon paraqet krijimin tënd te një juri që e ka përcaktuar dikush tjetër. Kjo juri do japë vendimin e saj, siç e gjykon ajo. Unë sa kam ardhur në festivalin e parë në vitet ’90, kam iniciuar post-festivalin. Ajo ishte demokraci, që njerëzit të thonin mendimet e tyre për këngët.

Ky festival ka nisur jo me post-festival, por me anti-festival. Të thuash që duhet të anulohet festivali, se s’ka fituar një këngë [apo një tjetër], është absurditet. Çfarë interesi kisha unë që të mos fus këngën e një kolegeje? Ka pasur dhe shumë kolegë të tjerë të mitë, për të cilët ngela shumë keq, por nuk u futën”, -ka sqaruar Zhani Ciko, duke u dhënë fund një herë e mirë të gjitha aludimeve dhe kontestimeve që lidhen me pranimin e këngëve.